Tahiri: Kosova s’heq dorë nga njohja e Serbisë për shkak të dështimit të Osmanit dhe Kurtit

Prishtinë | 07 Pri 2023 | 13:36 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Kosova nuk heq dorë nga njohja e Serbisë, ndonëse këtë, sipas tij, e kanë bërë kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.

“Kosova nuk ka hequr dorë nga njohja, por ka hequr dorë kryeministri Albin Kurti. Kurti e drejton vendin në këtë periudhë, nesër do të jetë dikush tjetër kryeministër, do të jetë dikush tjetër president i vendit dhe normalisht që ne nuk heqim dorë nga ambiciet tona si shoqëri, pavarësisht dështimeve momentale që mund të kenë liderët, si në këtë rast kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani. Ne nuk heqim dorë nga një njohje e tillë që pastaj do t’i hapë rrugën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Tutje, Tahiri tha se largimi i njohjes në qendër dhe siç u shpreh ai, “sjellja e vetmenaxhimit të serbëve, është dëm i madh për vendin”.

“Mendoj që ky është një dëm i madh në këtë proces, largimi i njohjes në qendër dhe sjellja e vetmenaxhimit të serbëve, e cila do të përkthehet në një autonomi në të ardhmen në qendër, është një dëm i madh për vendin tonë”, u shpreh tutje ai.

Tahiri, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se qytetarëve serb në Kosovë po u imponohet vullneti i Beogradit, mirëpo se “Kushtetutshëmeria e Kosovës është ajo që duhet të ketë rëndësi”.

“Është krejt e parëndësishme çka thotë Vuçiqi për Kosovën. Është shumë e rëndësishme Kushtetutshëmeria e Kosovës. Te ne nuk mund të imponohet vullneti i Beogradit”.

“Qytetarët që jetojnë në Kosovës janë peng i politikave të Beogradit, ata nuk guxojnë të jetojnë në shoqëri multietnike, ata janë të frikësuar nga politikat e Beogradit, qoftë në mos marrjen e targave kosovare, pastaj frika për t’u integruar në shoqëri multietnike”, tha Tahiri.

Ai ka informuar edhe për punën e komisionit Ad-hoc për reformën zgjedhore, ku është edhe kryetar.

“Dje përfundimisht ka votuar komisioni për reformën zgjedhore. Gjatë gjithë kohës zgjedhjet në Kosovës janë monitoruar nga vëzhgues të Bashkimit Evropian dhe duhet të adresohen të gjitha rekomandimet. Ka pasur edhe propozime të partive politike të cilat të gjitha bashkë janë drejtuar në mënyrë unanime. Gjatë këtij procesi kemi pasur bashkëpunim të mirë me zyrën e Bashkimit Evropian, Ambasadën Amerikane, Ambasadën e Mbretërive të Bashkuara”.

Të ngjashme