Tahiri kritikon Kurtin: Veriu nuk mbrohet nga zyra

Prishtinë | 06 Dhj 2022 | 18:51 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edi Tahiri, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar si një udhëheqës pa vizion e strategji.

“Veriu nuk mbrohet nga zyra e qeverisë”, ka shkruar Tahiri, në faqen e saj në Facebook.

Ajo e konsideron qeverinë “pa vizion, pa strategji, pa transparence, pa guxim”, derisa ka deklaruar se “tensionet atje janë shqetësuese”.

Tahiri i është referuar situatës së sotme në komunat Veriore, ku policia e Kosovës që ishte nën përcjellje të zhytarëve komunalë zgjedhor u desh të zmbrapsje, pasi u sulmua nga persona të maskuar me shok-bomba dhe të shtëna me armë në ajër.

Lajmin për sulmin e ka konfirmuar Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Situata në Veri, Policia konfirmon shpërthimet: S’ka të lënduar

Policia e Kosovës, të martën, ka raportuar se në orët e pasdites dyshohet se ka pasur shkrepje armësh e shpërthime në Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut, por nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.

Tensionet janë rritur në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, pasi qytetarët kanë penguar zyrtarët e komisioneve komunale zgjedhore të kenë qasje në zyrat e tyre, ku po përgatiten edhe zgjedhjet komunale.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka konfirmuar për Albanian Post, se përkundër që zyrtarët ishin nën përcjellje të policisë, ishte e pamundur që t’u krijoheshin kushte pune.

Policia e Kosovës njoftoi edhe se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.

“Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.

Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve”, thuhet nga Policia.

Të ngjashme