Tahiri: Kurti për inate personale po dëmton edhe marrëdhëniet me Shqipërinë – Deklarata e Muhaxherit u nda për TikTok

Prishtinë | 07 Kor 2023 | 10:15 | Nga Hana Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Xhafer Tahiri, thekson se Kosova është në të drejtën e saj për të shtrirë autoritetin dhe sovranitetin në veri, por metoda që kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur nuk është e duhura.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Tahiri ka komentuar dhe deklaratën e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili Kurtin e ka krahasuar me Millosheviqin. Ai tha se kjo deklaratë është shkurtuar nga VV-ja veç për TikTok.

“Lëvizja Vetëvendosja ka publikuar 4 video propaganduese që opozitën e ka barazuar me Serbinë, duke thënë se këta po punojnë për Serbinë… Natyrisht që deklarata e z. Muhaxhiri nëse dëgjohet e tëra do të shihni është nxjerrë nga kontesti, dhe është ndarë një pjesë vetëm për TikTok”, tha ish-kryetari i Vushtrrisë.

Ai shton se partia, tani në pushtet, vazhdimisht e akuzon opozitën e LDK-në për lidhje me Serbinë dhe paralajmëron se edhe LDK-ja do ta ashpërsojë diskursin publik ndaj Vetëvendosjes.

Tahiri thekson se Kosova ka të drejtë për të shtrirë autoritetin dhe sovranitetin në veri, por metoda që ka zgjedhur kryeministri Kurti nuk është ajo e duhura. Prandaj, si asnjëherë më parë Kosova po ballafaqohet me sanksione.

Masat e ShBA-së e BE-së sipas tij, janë tepër të dëmshme për qytetarët dhe Kurti po e çon vendin drejt një gjendjeje edhe më të rëndë.

“Për fat të keq kryeministri Kurti nuk po arrijnë që të bind faktorin ndërkombëtar se mënyra dhe metoda që ai ka zgjedhur është ajo e duhura. Dhe sot si asnjëherë më parë Kosova ballafaqohet me sanksione që janë të dëmshme për qytetarët e Kosovës”.

“E arritura më e madhe në procesin e integrimit evropian që është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), tashmë është pezulluar nga BE-ja”.

“Po ashtu fondi prej 7.3 miliardë euro kryesisht për sektorin e Teknologjisë Informative, ku Kosova është duke lulëzuar, dhe ka kompani dhe paga të mira, dhe në vend që kompanitë përfitojnë nga këto fonde dhe të rinjtë të vazhdojnë të jetojnë në Kosovë, edhe këto fonde janë suspenduar nga BE-ja”.

“Kosova asnjëherë nuk ka qenë më keq. Për fat të keq kemi parë që kryeministri Kurti për inate personale po dëmton edhe marrëdhëniet shqiptare-shqiptare. Kjo është edhe dëshmi se në çfarë gjendje të rëndë është Kosova”.

“Prandaj LDK-ja ka nisur një seri takimesh për të dalë nga kriza që e bënë fitues ndaj Serbisë dhe që është mirë me aleatët, prandaj në këtë rrugë të drejtë nuk e ka vend një person siç është kryeministri Kurti që e solli Kosovën mes sanksioneve për herë të parë dhe besoj që për herë të fundit të përballemi me sanksione”, theksoi Tahiri i LDK-së.

Të ngjashme