Tahiri: Kurti po pretendon merita për liberalizim, në fakt ka merita për sanksionet e BE-së

Prishtinë | 01 Jan 2024 | 19:31 | Nga Ekonomia Online

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se liberalizimi i vizave për kosovarët, që nisi nga sot më 1 janar 2024, nuk ka të bëjë asgjë me qeverinë aktuale.

Në fakt, sipas Tahirit, Qeveria Kurti i ka të gjitha meritat për sanksionet në fuqi.

Tahiri ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook, pasi kryeministri Albin Kurti sot ia mveshi meritat për liberalizim vetes. “Ne nuk premtuam, por e realizuam”, deklaroi ai sot, gjatë një ceremonie në Aeroportin e Prishtinës.

“KM Kurti po pretendon merita për liberalizim. Madje këtë ia atribuon edhe rolit të ministrisë së punëve të jashtme dhe diasporës. E vërteta është që liberalizimi nuk ka asgjë të bëjë me këtë qeveri”, ka shkruar deputeti i Aleancës.

“Merita e vetme e kësaj qeverie janë sanksionet, të cilat për fatin e mirë të qytetarëve të vendit, ndonëse i përfolën, nuk i përfshinë në pako të sanksioneve mbajtjen e vizave si ndëshkim. Në fakt kjo qeveri ka merita, i kanë të gjitha meritat për sanksionet në fuqi!”, ka theksuar Tahiri.

Të ngjashme