Albin Kurtit nuk i pengon ideja e Tribunalit, por pse kjo ide është e Kadri Veselit.
Kështu ka shkruar në një status në rrjetin social Facebook Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri.
Sipas tij, vetëm pse është ide e Veselit, lideri i Vetëvendosjes është duke i bërë pengesë funksionalizimit të kësaj nisme.
“Qasjen e opozitës për të penguar funksionalizmin e Tribunalit Ndërkombëtar, që ka për qëllim hetimin dhe ndëshkimin e atyre që kryen krime, në Kosovë në vitin 1998-1999, asgjë nuk pasqyron më mirë se sa qëndrimi i shprehur sot nga Albin Kurti. Me anë të këtij rrëfimi ai tenton ta justifikoj bllokimin që është duke i bërë nismës për themelimin e këtij Tribunali”.
“Në mënyrë manipulative ai pohon se me anë të kësaj insiative të ndërmarr nga Kryetari i Kuvendit, tentohet të suspendohet kapaciteti i mekanizmave juridikë shtetëror për të dënuar krimet serbe në Kosovë. Mashtrim më të madh se kaq nuk mund te ketë. Sepse themelimi i një institucioni të tillë vetëm sa i forcon potencialet e institucioneve tona për të adresuar këtë çështje”.
Madje, sipas Tahirit, edhe më herët Kurti ka bërë thirrje të sabotohen ngjarje të rëndësishme që ndërlidhen me çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e Pavarësisë.
“Albin Kurtin e tmerron ideja se autor i kësaj nisme është kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe mundësia që kjo iniciative te ketë sukses. Ashtu siç i janë shndërruar në makth çlirimi i Kosovës dhe Pavarësia e saj, të cilat u fituan si rezultat i bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtare, bashkëpunim ky të cilin ky dikur Albin Kurti bënte thirrje që të sabotohej”.
“Me të njëjtën logjike që i sulmonte atëherë këto procese ai e atakon edhe sot këtë nismë. Pra pasi dështoj që ta pengoj fitimin e këtyre dy qëllimeve madhore për shqiptaret e Kosovës, sot i është veshur punës që ta pengoj dokumentimin ndërkombëtar të krimeve serbe që kanë ndodhur në Kosovë. Sepse vetëm në këtë mënyrë e ka më lehtë të manipuloj me plagët e kësaj shoqërie”.