Dje në adresë të kryeministrit Albin Kurti ka mbërritur urimi i sekretarit të Departamentit të Shtetit, Antony Blinken, në të cilën letër konfirmohet përkrahja e plotë e SHBA-së për Kosovën. E në urimin e tij, sekretari amerikan i ka thënë Kurtit se i mirëpret zotimet e tij për luftimin e korrupsionit, fuqizimin e sundimit të ligjit e rindërtimin e vendit nga pandemia.
Krahas këtyre, Blinken ka qenë i qartë edhe sa i përketë dialogut të ndërmjetësuar mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se pret nga Kosova të angazhohet në mënyrë produktive dhe pa vonesë në dialogun me Serbinë.
“Kosova duhet gjithashtu të angazhohet në mënyrë produktive dhe pa vonesë në dialogun me Serbinë, të mbështetur nga SHBA-të dhe lehtësuar nga BE-ja”, shkruan Blinken në urimin e tij për Kryeministrin Kurti.
Më tej, në letër ai ka thënë se sigurimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë është thelbësore për Kosovën që të arrijë potencialin e saj të plotë dhe të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Edita Tahiri, ish-shefe e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, ka thënë për Gazetën Online “Reporteri.net” se mesazhi i Blinken për dialogun ndërmjet dy vendeve duhet të kuptohet seriozisht.
“Marrëdhëniet strategjike me SHBA-të janë në thelbin e politikës së jashtme dhe në kuadër të vizionit tonë për një Kosovë euro-atlantike. Mesazhi në lidhje me dialogun të cilin sekretari amerikan i shtetit Blinken e ka dhënë në letrën e tij duhet kuptuar seriozisht nga qeveria e re e Kosovës”, tha Tahiri, shkruan Reporteri.net.
Madje ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës ka një këshillë për Kurtin. Sipas Tahirit vizita e parë e kryeministrit Kurti duhet të jetë në SHBA.
“Mendoj se kryeministri Kurti para se të shkoj në Bruksel duhet së pari të shkoj në SHBA për të biseduar për çështje strategjike dhe gjeopolitike që lidhen me Kosovën dhe paqen në rajonin e Ballkanit dhe për të prezantuar qëndrimet e Kosovës se vetëm njohja reciproke me kufijtë aktual dhe në mbështetje të kushtetutës së Kosovës është çelësi i stabilitetit dhe paqes në rajon dhe çelësi për të mbyllur kapitullin e armiqësive me Serbinë. Kështu kam vepruar unë kur mora rolin e Kryenegociatores në vitin 2011, së pari shkova në Washington dhe pastaj shkova në Bruksel”, tha Tahiri.
Kurti si fitues i zgjedhjeve kishte përsëritur disa herë se dialogu me Serbinë nuk është ndër prioritetet kryesore të tij.
“Nuk po them që s’do të merrem me dialogun, por nuk është prioritet as i qytetarëve dhe as i imi” kishte qenë i shkurtër Kurti kur pyetej për bisedimet me Serbinë.
Tahiri që ishte edhe anëtare e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, tha se shtetet serioze e kanë të qartë se duhet zhvilluar partneritet me aleatët strategjik.
“Për sa i takon çështjes së prioriteteve në politikën e jashtme, shtetet serioze dhe që kanë dijeni në politikën e jashtme e kanë parasysh se duhet zhvilluar partneritet dhe koordinim me aleatët strategjik, në rastin tonë me SHBA-të dhe partnerët evropian, në lidhje me çështje të mëdha që kanë të bëjnë me paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë euro-atlantike. Shpresoj dhe inkurajoj qeverinë e re që të bëjë përpjekje maksimale për të zhvilluar një diplomaci të mençur dhe perëndimore”, tha Tahiri.
Kujtojmë që diaologu Kosovë-Serbi, që ka filluar një dekadë më parë, ende nuk ka vazhduar që nga betimi i qeverisë së re të Albin Kurtit.