Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, nëpërmjet zyrtarëve të lartë të shtetit amerikan, ka pranuar letrën e nënshkruar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me të cilën konfirmohet hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Ekstradimit mes Kosovës dhe SHBA-së.
“Unë, Donald J. Trump, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ratifikoj dhe e konfirmoj Traktatin. Andaj, kam nënshkruar këtë instrument të ratifikimit dhe e kam mbyllur me vulën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës” thuhet ndër të tjera në letrën e Presidentit Trump.
Ministri Tahiri ka theksuar se marrja e kësaj letre është akt historik në marrëdhëniet dypalëshe.
“Nga zyrtarë të lartë të shtetit amerikan tashmë kam pranuar letrën e nënshkruar nga Presidenti i SHBA-ve z. Donald Trump, dhe nga Sekretari i Shtetit, z. Mike Pompeo, përmes së cilës konfirmohet hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Ekstradimit në mes dy vendeve. Kjo marrëveshje shënon një akt historik në marrëdhëniet dypalëshe mes SHBA-së dhe Kosovës dhe është garanci e mëtejme se sundimi i ligjit është i pa alternativë dhe lufta kundër krimit do të shkojë deri në fund” thekson ministri Tahiri.
Pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje, ministri Tahiri potencon se Kosova tashmë rangohet si vend i besueshëm nga prijësit e demokracisë liberale.
“Pesha historike e kësaj marrëveshje, me vulën e Presidentit Trump, do të lë gjurmë në historinë e shtet ndërtimit tonë dhe do ta markojë Republikën e Kosovës në rangun e një vendi, në të cilin prijësit e demokracisë liberale dhe sundimit të ligjit kanë besim të plotë” thekson ministri Tahiri.
Protokolli i instrumenteve të Ratifikimit të Marrëveshjes së Ekstradimit në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është nënshkruar javën e kaluar nga Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, z. Matthew Palmer në Prishtinë.