Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Qeverisjen Lokale, Besnik Tahiri është takuar me kryeministrin Ramush Haradinajn. Në këtë takim ai ka përgëzuar kryeministrin për vendimin që Ligji për Prishtinën të procesohet në qeveri.
“Sot pata nderin të takoj Kryeministrin dhe ta përgezoj për vendimin që të procesohet Ligji për Prishtinën.
Unë, si në kapacitet profesional e edhe si kandidat për kryetar tash e gati një dekadë, kam punuar dhe lobuar që ky Ligj të kalojë. Falënderoj të gjithë që kanë qenë në grup punues, kolegë nga komuna e Prishtinës, MAPL, projekti DEMOS, ministritë e linjës dhe Instituti KLGI për angazhimin dhe punën e tyre. Shpresoj që pas miratimit në qeveri edhe kuvendi të procedojë me shpejtësi”, shkroi Tahiri në Facebook.
“Ka qenë dhe është e papranushme që Prishtina të ketë statusin e komunës sikurse 37 komunat tjera. Ndërkaq, sipas Kushtetutës (Kapitulli I – dispozitat themelore) i njihet statusi kryeqytet (Neni 13 – pika 1 dhe 2 Kryeqyteti) dhe del si obligim për rregullim me Ligj të veçantë. Prandaj, e them me përgjegjësi të plotë se fryma Kushtetuese dhe Ligjore e njeh statusin e kryeqytetit. Përderisa rregullimi i deritanishëm ligjor e ka njohur organizimin vetëm si komunë, mund të thuhet se një përkufizim i tillë më shumë ishte simbolik dhe trashëgimi sesa status real rregullativ dhe ligjor”, tha ai.