Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se votimi pro ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit jo vetëm se përmbyll këtë temë të përfolur por edhe plotëson njërin prej kritereve për lëvizjen e qytetarëve për në Evropë.
Tahiri përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se tani mbetet “që me dinamikë të përshpejtuar dhe efikasitet të lartë të përmbushim kriterin e dytë, atë të luftimit të korrupsionit”.
Më poshtë statusi i tij i plotë:
Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës i dha zgjidhje meritore çështjes së demarkacionit me aleatin tonë anëtar të NATO-s, Malin e Zi, e rrjedhimisht, dëshmoi më shumë se asnjë herë tjetër, se është në mbrojtje të interesave tona strategjike shtetërore dhe qytetare.
Votimi pro ratifikimit të kësaj marrëveshje përpos që e përmbylli temën më të përfolur gjatë viteve të fundit, po ashtu plotësoi njërin nga kriteret bazike të procesit të liberalizimit të vizave, që së shpejti do ta mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë, në Evropë.
Pra, miratimi i këtij ligji pos që është i një interesi primar shtetëror, është veprim jetik edhe për perspektivën evropiane të shoqërisë dhe shtetit tonë.
Tash, përgjegjësia për liberalizimin e vizave bie mbi institucionet e sistemit të drejtësisë dhe para kësaj përgjegjësie, unë jam i gatshëm dhe i pa kompromis.
Na mbetet që me dinamikë të përshpejtuar dhe efikasitet të lartë të përmbushim kriterin e dytë, atë të luftimit të korrupsionit.
Ministria që unë drejtoj, së bashku me institucionet dhe organet e zbatimit të ligjit, do të jenë në krye të detyrës për të shënuar efikasitet më të lartë në këtë drejtim.