Jo vetëm me kod të etikës, por përgjegjësia dhe llogaridhënia në sistemin gjyqësor e prokurorial do të rregullohet me ligj të veçantë.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se këtë qasje do të ndjek gjatë vitit të ardhshëm, duke i dhënë prioritet Projektligji për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjykatësve dhe Prokurorëve.
Përmes një postimi në Facebook, pas pjesëmarrjes në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Tahiri ka shkruar se synim kryesor ka zbatimin e nocionit themelor të qytetarisë demokratike dhe shtetit ligjor, që do të thotë ligji është i barabartë për të gjithë.
“Jemi duke hartuar politika që do e ngrisin aspektin e përgjegjësisë në një dimension tërësisht të ri, synimi kryesor i të cilit është zbatimi i nocionit themelor të qytetarisë demokratike dhe shtetit ligjor, pra që ligji është i barabartë për të gjithë. Rrjedhimisht, në vitin që po hyjmë, në kuadër të pakos së ligjeve që do t’i vendosim në agjendën e Kuvendit të Kosovës është edhe Projektligji për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjykatësve dhe Prokurorëve, i cili e ngritë çështjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në një nivel përtej kodeve të etikës” ka shkruar Tahiri.
Për të siguruar pavarësinë e plotë dhe llogaridhënien e këtyre institucioneve, ministri Tahiri ka përmendur rritjen e buxhetit të Këshillit Gjyqësor e Prokurorial, ndërkaq ka kërkuar angazhimin e të gjithëve për Shtetin e së Drejtës.
“Konsideroj se vërtetë po krijojmë një moment të ri dhe përkushtim të ri për ta ngritur Shtetin e së Drejtës aty ku duhet të jetë, ku me të drejtë e presin qytetarët dhe ku ligjërisht e përcakton rendi demokratik, dhe për këtë, duhet të vlejë angazhimi i të gjithë neve” ka përfunduar postimin e tij Tahiri.