Tahiri: Mosliberalizimi i vizave diskriminim klasik, Konjufca t’u shkruaj vendeve të BE-së

Prishtinë | 17 Tet 2022 | 12:04 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e quajtur diskriminim klasik çështjen e mosliberalizimit të vizave për Kosovën.

Ai tha se këtë çështje e ka ngritur edhe në mbledhjen e mbajtur të Kryesisë së Kuvendit, ku ka kërkuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca që t’i shkruaj presidencës çeke dhe kryeparlamentarëve të vendeve anëtare të BE-së.

“Në kryesi e kam ngritur një kërkesë që Kuvendi përmes kryetarit t’i adresohet presidencës çeke dhe kryeparlamentarëve të vendeve anëtare me një kërkesë të thjeshtë që lidhet me një mosvendim për liberalizimin e vizave, e që për neve është diskriminim klasik”.

Ai shtoi se çfarëdo sistemi që e aplikon BE-ja për vendet tjera jo anëtare të Shengenit mund të hyjë në fuqi edhe për Kosovën pasi që të liberalizohen vizat.

“Heshtja e Kuvendit nuk është e drejtë dhe për këtë arsye e ngrita këtë çështje që të ketë adresim serioz. Heshtja jonë nuk i bënë hajr dhe nderë Republikës së Kosovës”.

Tahiri, deklaroi se Qeveria Kurti do të futet në histori si më e dobëta në investimet kapitale.

Ai tha se Ligji i Pagave ka përfunduar fazën e konsultimit publik, por që nuk po shkon në Kuvend për miratim.

“Ligji i Pagave e ka përfunduar procesin e konsultimit dhe ky ligj ende nuk vjen për miratim në Kuvend. Mosardhja e këtij ligji nënkupton shtyrje edhe për 1 vit për zbatim. AAK-ja kërkon që të vjen në Kuvend ligji. Me ecurinë aktuale, ky s’ka mundësi të futet në miratim më 1 janar”, shtoi ai.

Fjalimi i plotë:

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit ngrita disa çështje të rëndësishme:

E para, ka të bëjë me liberalizimin e vizave. Në kryesi e kam ngritur një çështje që Kuvendi i Kosovës t’i adresohet presidencës çeke dhe të gjithë kryeparlamentarëve të vendeve anëtare, me një kërkesë që lidhet më një mos vendim për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. AAK-ja vlerëson se ky është një diskriminim klasik dhe është një zvarritje e cila nuk duhet të ndodhë.

Çfarëdo sistemi që BE-ja e aplikon për vendet tjera jo anëtare të Shengenit, mund të hyjë në fuqi edhe për Kosovën pasi që të liberalizohen vizat. Pra, heshtja e Kuvendit nuk është e drejtë dhe për këtë e arsye ngrita këtë çështje te Kryesia e Kuvendit që të ketë një adresim serioz. Në veçanti, duke e ditur që në seancën e fundit miratuam nëntë marrëveshje ndërkombëtare, prej tyre shtatë lidhen drejtpërdrejt me BE-në. Heshtja jonë nuk i bënë hair dhe as nderë Republikës së Kosovës.

E dyta, ka të bëjë me reformat pensionale. AAK nuk do të mbështet asnjë reformë, në qoftë se nuk votohet amandamentimi i ligjit, që është propozuar nga AAK-ja, që lidhet me personat të cilëve nuk u njihet stazhi i punës për një ditë. Ka punëtorë në arsim, shëndetësi, polici, që nuk u njihet stazhi i punës për një ditë dhe e humb të drejtën e pensionit të rregullt. Kjo është e pakuptimtë dhe për këtë, kërkova mbështetje nga LVV-ja.

E treta, lidhet me bllokadën ekonomike në Kosovë. Komunat janë peng i mosveprimit të qeverisë dhe ligji që është sjellë në kuvend nuk është i mjaftueshëm, ka ardhur pa konsultim të organizatave buxhetore, në veçanti të komunave.

Kërkojmë që me urgjencë të zhbllokohen fondet e investimeve kapitale dhe të vazhdojnë punimet në komuna. Përndryshe, do të kemi një suficit dhe një rekord të zi për qeverinë, që nga themelimi i institucioneve qeverisëse në Kosovë. Pra, kjo do të jetë qeveria, e cila në historinë e saj do të jetë më e dobëta në raport me investimet kapitale.

E katërta, ka të bëjë me Ligjin e Pagave. Ky ligj ka përfunduar procesin e konsultimit publik qe një muaj dhe ende nuk vjen për miratim në Kuvend. Kjo, nënkupton shtyrje edhe për një vit të zbatimit të tij. AAK-ja kërkon që ligji të vjen sa më shpejtë në Kuvend, në mënyrë që zbatimi i tij të fillojë nga 1 janari 2023 dhe jo të hyjë në fuqi me 1 janar të vitit 2024. Me ecurinë e deritanishme, ky ligj nuk ka teori të hyjë në zbatim nga janari i vitit të ardhshëm.


Të ngjashme