Vizita e kancelarit austriak Sebastian Kurz në Kosovë, ka zbehur shpresat për liberalizim të vizave këtë vit. I pari i Qeverisë austriake tha se shumë vende të Bashkimit Evropian (BE) janë skeptike për ta përkrahur heqjen e vizave për Kosovën.
Në Qeverinë e Kosovës këtë skepticizëm po e quajnë të panevojshëm. Madje koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore në Qeverinë e Kosovës, Besnik Tahiri në një intervistë për Ekonomia Online, tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe mosheqja e vizave do të ishte thikë pas shpine ndaj Kosovës.
“Ajo që do të duhej të ndodhte dhe ajo çka unë mund ta komentoj është që Austria e ka presidencën e BE-së tanimë, dhe ajo është shteti që duhet ta vendos në agjendën e vet temën e liberalizimit. Unë mendoj që në momentin kur tema është në votim, unë jam shumë optimist që do të ketë një reflektim të vendeve të BE-së”.
“Mendimi dhe vlerësimi është i qartë i saktë, është meritë dhe jo dhuratë dhe në të njëjtën kohë thotë pasi që Kosova i ka përmbush të gjitha obligimet, ka pas një votim në Parlament dhe nuk di qysh do t’i thuhet jo. Nëse i thuhet jo atëherë do të jetë një thikë pas shpine për Kosovën”.
“Për shkak se ju jeni të vetëdijshëm që gjatë gjithë kohës Kosovës ju ka thënë që votojeni demarkacionin se jeni tu e ndal qytetarin me lëviz lirshëm, do të thotë i kanë thanë përmbushni obligimet teknike se do ta keni liberalizimin ne e kemi kaluar edhe demarkacionin e kemi edhe vlerësimin pozitiv e kemi edhe votimin në Parlament dhe nuk di çka mund të bëjmë ne më shumë. E shoh si shumë diskriminuese që qytetarët e Kosovës për dallim prej krejt anëtarëve të Evropës të mos lëvizin lirshëm”, tha ai.
Tahiri ka folur edhe për formimin e asociacionit të komunave më shumicë serbe, ku është shprehur i bindur se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
Sipas tij, nuk do të ketë asociacion që fuqinë e vet politike e barazon mbi aspiratat e Beogradit, raporton EO.
“Ka një kohë të gjatë që në diskursin publik asociacioni i komunave me shumicë serbe është temë kryesore. Ju e dini që ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese i cili ka gjet 24 parregullsi në marrëveshjen e Brukselit që e trajton temën e asociacionit. Nuk do të ketë asociacion të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive”.
“Nuk do të ketë asociacion që do të krijoj një nivel të dytë të qeverisjes e asnjë moment nuk do të ketë asociacion që pretendohet të jetë si një njësi e veçantë. Asociacioni do të jetë në shërbim të komunave do të lehtësoj punën e tyre por nuk do të krijohet një asociacion që fuqinë e vet politike e barazon mbi aspiratat e Beogradit, pra ka kaluar ajo kohë e diskutimeve”, tha ai.
Ndërkaq lidhur me reformat shtetërore,Tahiri ka thënë se plani i Qeverisë është duke u zbatuar në përpikëri.
“Reforma shtetërore besoj që është duke shkuar mirë, jemi duke punuar në tri shtylla. Shtyllën e parë gjithçka që lidhet me pakon e tri ligjeve, Ligjit për Funksionimin e Administratës Shtetërore, Ligjin për Zyrtarët Publik dhe Ligjin e Pagave”.
“Pastaj jemi duke punuar shumë edhe në reformën e inspektimeve, i kemi 36 inspeksione në nivel qendror dhe 6 në nivel lokal, dhe në të njëjtën kohë jemi duke punuar në agjensionet ekzekutive. Një angazhim tjetër është poashtu në ligjin për qeverinë që e trajton numrin e ministrive dhe zëvendësministrave”.