Ish-kryenegociatorja e Kosovës në Dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, tha se Albin Kurti në të kaluarën e kishte djegur Parlamentin e Kosovës për ta bindur popullin se qeveritë e kaluara nuk e kryen çështjen e sovranitetit.
Tahiri në emisionin “Info-Nata” në Tëvë1, tha se qeveria, pjesë e së cilës ishte edhe vetë, i kishte zhbërë strukturat paralele të cilat ishin vendosur pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
“I kemi zhbë strukturat në fushën e drejtësisë, policisë, mandej strukturën e mbrojtjes civile, doganat e të tjera ku ka pas struktura paralele i kemi zhbë. Dhe çfarë kemi mbërri, e kemi shtri sovranitetin në veri”, tha Tahiri.
Ndërsa, e pyetur nëse ky integrim i serbëve në veri ishte si një ‘kështjellë prej letre’ për shkak se ata vepruan me urdhra të Vuçiqit përmes Listës Serbe, Tahiri pati një përgjigje.
“A keni shkuar si gazetar në Mitrovicën Veriore, në gjykatat që ne i kthyem në sistemin e Kosovës me i pa si funksionojnë? A punojnë me vula të Kosovës a me ligje të Kosovës? Unë po ju garantoj, u kam thënë edhe të tjerëve gazetar u thoja kur ishte fjala kur i sollëm autoritetet se pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës Serbia i dogji Jarinjen dhe Bërnjakun. Kur ne i kthyem autoritetet shtetërore me polici, me dogana, u thoja gazetarëve: ju lutem shkoni atje në kufi shihni siç po funksionon. Pastaj mbrojtja civile ka qenë strukturë paramilitare, e kemi zhbë, plus e kemi çarmatosë, demilitarizua bashkë me EULEX-in. I kanë dorëzuar gjitha uniformat, pajisjet ndoshta edhe ndonjë armë tek EULEX-i, me mbikëqyrjen e BE-së dhe KFOR-it”.
“Çfarë u bë me ta, ata u bënë shërbyes civil, bile trajnimet u majtën në Vushtrri në Akademi për t’u integruar dhe për të marrë detyrën. Pastaj besoj e dini që ka pas kamera vrojtuese 3-4 mbi urën e Ibrit, i ka pas vu rojat e urës në ato kohëra, krejt këto janë realizua”, shtoi Tahiri.
“Mirëpo kur ke të bësh me një opozitë sikur ishte Kurti që e dogji Parlamentin për të bindur popullin se qeveritë e kaluara nuk e kryen çështjen e sovranitetit, e tani ku jemi, jemi në momentin që opozita është e kulturuar, kulturë politike, absolutisht as nuk vjen në shprehje të përdoren metodat e dhunshme siç i kishte përdorur Kurti”, deklaroi Tahiri.