Tahiri: Niveli qendror po paralizon iniciativat komunale

Ferizaj | 22 Sht 2016 | 19:21 | Nga

Kolegji Universum, nga seria e debateve të fokusuara, mbajti sesionin të veçantë për qeverisjen lokale. Ky debat në një format të diskutimit analitik trajtoi fushat dhe dimensionet kryesore ku shtrihet dhe operon qeverisja lokale.

Debati nisi me analizimin e aspekteve të përgjithshme siç janë sistemi zgjedhor dhe qeverisës, raportet në mes nivelit qendror dhe atij lokal, financat e pushtetit lokal, legjislacioni dhe politikat e deri tek ato të veçanta që ndërlidhen me kapacitetet operacionale, teknike dhe funksionale të komunave për ofrim të shërbimeve.

Në fjalën e tij, Besnik Tahiri, drejtor ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), theks të veçantë në diskutim u vendosi paqartësive ligjore, procedurale dhe funksionale në mes nivele të qeverisjes, që për komunat po dalin si pengesë e madhe në zbatim funksional të kompetencave dhe shërbimeve.

“Si pasoj e kësaj komplikueshmërie, komunat nuk po arrijnë të hartojnë politika dhe plane të qëndrueshme zhvillimore”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, nëse trajtojmë fushat dhe sektorëve funksional në komuna, nëpërmes disa fakteve të shpejta mund të shihet se qeverisja lokale ende vazhdon të funksionoi në paqartësi të plotë, nisur nga mungesa e kohezionit të politikave dhe legjislacionit, menaxhimit ad-hoc, komplikueshmëria e procedurave, mbikëqyrja dhe llogaridhënia e dobët, e deri tek mungesa e përfshirjes së qytetarëve në vendim-marrje.

Krejt në fund z. Tahiri shprehi domosdoshmërinë që procesi i reformës të shtyhet paralel me ri-shikimin funksional të decentralizimit. Ky proces duhet të ndodh kujdesshëm dhe sistematikisht, sektor për sektor, dhe fushë funksionale për fushë funksionale. Në të kundërtën entitetet e qeverisë komunale dhe ato nacionale do të vazhdojnë të operojnë në errësirë, duke çuar në konfuzion, duke paralizuar, iniciativat, dobësuar shërbimet dhe duke ulur nivelin e transparencës dhe llogaridhënie nga të dy nivelet e qeverisjes.

Panelistë të tjerë në debat ishin Naim Ismajli, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovë; Faik Grainca, përfaqësues i Komunës së Ferizajt, përfaqësues nga Asambleja Komunale e Ferizajt, profesorë dhe studentë nga Kolegji Universum, media dhe shoqëria civile.

Të ngjashme