Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka bërë me dije se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion ku ishte paraparë diskutimi në lidhje me procesin e rekrutimit të noterëve të rinj.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se nuk merr pjesë në këtë mbledhje dhe se arsyet i ka shpjeguar kryetares së Komisionit, deputetes Albulena Haxhiu në letrën që i ka dërguar ditën e premte.
“Agjenda e paraparë në këtë takim, nuk përkon me tema që lidhin përgjegjësitë tona institucionale dhe në rastin më të mirë, përkon me tema që tashmë janë adresuar. Si e tillë, pikat për të cilat jam ftuar të raportoj, në mesin e tyre, provimi i Noterisë që ende s’ka përfunduar, përbëjnë një mundësi që çështjet e menaxhimit profesional, të bazuara në ligj dhe të pavarura nga politika, t’i shërbejnë akterëve politik për politizimin e tyre, gjë të cilës unë si Ministër i Drejtësisë, nuk do t’i kontribuoj”.
“Për korrektësi, po e bashkëngjis letrën që i kam dërguar Kryetares së Komisionit. Siç kam theksuar në letër, e ritheksoj edhe tani, se jam i gatshëm të raportoj në çdo kohë, në secilin hark kohor që Komisioni më fton për përgjegjësitë e mia institucionale si Ministër. Por kurrsesi për politizimin e proceseve tërësisht profesionale dhe të bazuara në zbatimin e ligjit”, ka shkruar ai.