Kryetari Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Martin Berishaj nuk është rastësisht ambasador i Kosovës dhe as thjeshtë “një ambasador i Kosovës”.
Sipas tij, “ai është parasëgjithash, një ‘aferë e thellë’ me multi-protagonistë që shtrihen në disa vende, e arrijnë deri tek zyrat qendrore të pushtetit në vendin tonë”.
“Përkundër vullnetit e gatishmërisë për t’i shkuar deri në fund, në Komisionin Hetimor Parlamentar nuk kishim as mandat e as instrumente për të dëshmuar strukturën e thellë mafioze e lidhjet para politike dhe implikimet që lidhen me “Aferën Berishaj”, por e njëjta, tash figuron se është duke u hetuar penalisht në disa vende”, shkroi ai në Facebook.
“Çdo ditë e më shumë që z. Martin Berishaj qëndron në postin e një zyrtari të lartë të shtetit, si ambasador i Kosovës në Kroaci, është implikim i vetëdijshëm i pushtetit dhe shtetit në këtë aferë”.
Deputeti opozitar kërkoi dorëheqjen ose shkarkimin e ambasadorit Berishaj nga funksioni që mban.
“Dorëheqja e tij, nuk është më çështje etike. Nëse jo dorëheqja, shkarkimi i tij është domosdoshmëri, për t’i hapur rrugë zbardhjes së të vërtetës rreth kësaj afere”, përfundoi Tahiri.