Tahiri për anëtarësimin në KiE: Është dështim më pak i Gërvallës e më shumë i binomit Osmani-Kurti

Prishtinë | 14 Jan 2023 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, duke thënë se Qeveria e Kosovës ka dështuar të vendosë në agjendë aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ai ka theksuar se deklaratat e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) që ua tregojnë vendeve anëtare të KiE-së kushtet e Këshillit, nuk kanë të bëjnë me kushtëzim, por këto i ka quajtur “dështim nga moskoordinimi”.

“Është fakt i kryer që Qeveria e Kosovës ka dështuar të vërë në agjendë aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Dhe këtë fakt nuk mund ta fshehin deklaratat politike të MPJ-së, ku në mes tjerash, iu tregohet vendeve anëtare të Këshillit se kushtëzimet qenkan të padrejta e jashtë rregullave të Këshillit. Nuk ka kurrfarë kushtëzimi. Ka thjesht dështim nga moskoordinimi”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e tij.

Ndër të tjera, sipas Tahirit, partnerët ndërkombëtarë që kanë ndihmuar Kosovën, janë skeptikë për rrugën e Kosovës sot.

Kësisoj, këtë, Tahiri po e quan dështim të presidentes Osmani, kryeministrit Kurti e ministres Gërvalla.

“Për shkak të kësaj gjendje anemike në politikën e jashtme, sot, partnerët që na kanë ndihmuar në bërjen e shtetit, janë skeptikë nëse vetë shteti ynë e ka të qartë se në çfarë rruge ka marrë drejtim. A se shteti ynë ka mbetur pa drejtim të qartë e pa ide se cilën rrugë duhet ndjekur, kjo tash është dukshme si drita. Ky është dështim më së paku i ministres Gërvalla, e më së shumti i binomit Osmani-Kurti”, ka vijuar Tahiri.

Tutje, Tahiri ka shtuar se ajo që ka nisur para dy vjetësh në politikën e jashtme të Kosovës, tash po i sjell efektet konkrete. Lidhur me këtë, Tahiri “dështimin e qeverisë për vendosje në agjendë të aplikimit për anëtarësim në KiE” e ka quajtur dështim kapital të 20 viteve të fundit.

“Pra, ajo çfarë para dy vitesh ka nisur si degradim i gjithanshëm në politikën e jashtme të Kosovës, tash po prodhon edhe efekte konkrete. Dështimi i qeverisë për të ndërtuar një kohezion të qëndrueshëm dhe koordinim adekuat me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, është një ndër dështimet kapitale në 20 vitet e fundit. Aq më tepër, në një rrethanë ku kundërshtarët më të mëdhenj të Kosovës nuk janë më pjesë e këtij Këshilli, si dhe kur një atmosferë e unitetit përballë aksit të së keqes po mbretëron nëpër Evropë, humbja e këtij shansi është e pafalshme”, ka shtuar Tahiri në postimin e tij.

Të ngjashme