Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri një konferencë për medie ka folur për paralajmërimin e Listës Serbe për dalje nga Qeveria, raporton Ekonomia Online.
Tahiri ka thënë se Lista Serbe nuk ka pasur asnjë komunikim me kryeministrin për largim nga Qeveria. Tutje, ai ka thënë se Qeveria në këto rrethana është duke e bërë punën e vet ashtu siç duhet.
“Lista Serbe nuk ka bërë asnjë komunikim as me kryeministrin e as me mua në raport me largimin e tyre nga Qeveria. Këto paralajmërime janë kryesisht në diskursin publik, por nuk ka diçka zyrtare”.
“Qeveria është duke e bërë punën e vet, ndërsa vendimi i partive politike gjithmonë është vendimi tyre, ashtu siç kanë hyrë munden edhe me dalë, por nuk di që ka ndonjë arsye”.
“Nuk ka pasur ndonjë komunikim me qeverinë dhe përderisa nuk ka pas nuk mundem me komentuar ma shumë”.
Gjatë së mërkurës kreu i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se deputetët e kësaj partie nuk morën pjesë në punën e Kuvendit dhe nuk do të marrin pjesë as në të ardhmen, sepse nuk po respektohet marrëveshja e koalicionit të nënshkruar.
“Ne kemi treguar në mënyrë të përsëritur dhe me konstruktivitet angazhimin tonë për të vepruar në përputhje me interesat e të gjithë qytetarëve”.
“Ne jemi pro interesit të qytetarëve, jemi pro zhvillimit ekonomik, dhe pro luftës ndaj pandemisë. Por, paraprakisht duhet të respektohemi si partner qeverisës”.
“Ne e kemi marrëveshjen e nënshkruar në tavolinë dhe kërkojmë që ajo të respektohet. Për shkak të qëndrimeve ndaj Listës Serbe ne jemi duke menduar seriozisht largimin nga Qeveria”.