Tahiri për Qeverinë Kurti: Në vend që të merren me punët që iu takojnë, humbin kohë me video propagandistike

Prishtinë | 22 Tet 2022 | 20:24 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria Kurti është duke jetuar jashtë kohës, rrethanave dhe realitetit.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se kjo qeveri po humbë kohë me video propagandistike në vend se të merret me punë që i takojnë.

“Qeveria aktuale nuk ka siguruar asnjë kontratë për energji duke i lënë kështu qytetarët në mëshirë të kohës. Në vend se të fokusohej në sigurimin e kontratave të leverdishme, ajo ka shpenzuar kohën dhe potencialin në përgatitjen e videove propagandistike. Kjo me qëllim të shpërqëndrimit të opinionit nga sfidat dhe problemet reale”.

“Madje në funksion të justifikimit të këtij dështimi, ajo ka prodhuar narracione të edukimit publik e qytetarë. Kjo me qëllim që kur të bien temperaturat, kur të rriten shpenzimet, kur të fillojnë reduktimet, kur të mungojnë blerjet dhe furnizimet me energji, si dhe kur të fluturojnë çmimet, ajo përtej fajësimit të opozitës do të fajësojë edhe qytetarët”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka thënë se kjo qeveri është duke jetuar jashtë kohës, rrethanave dhe realitetit.

“Kjo qeveri është duke jetuar jashtë kohës, rrethanave dhe realitetit. Nuk është për t’u befasuar sepse shumica e anëtarëve të këtij kabineti, kurrë në jetën e tyre nuk kanë menaxhuar me staf, burime, dhe as nuk janë përballur me ndonjë sfidë!”, ka përfunduar Tahiri.

Të ngjashme