Tahiri për refuzimin e Ramës nga Kurti: Veprim i turpshëm, skandal

Prishtinë | 06 Kor 2023 | 11:21 | Nga Hana Lohaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka komentuar refuzimin e kreut të Qeverisë, Albin Kurti, për të takuar kryeministrin shqiptar Edi Rama, raporton Ekonomia Online.

Tahiri këtë veprim e ka quajtur të turpshëm duke e konsideruar si skandal. Ai majde tha se Rama vjen në shtëpi të tij, te vëllezërit e vet.

Tahiri ka shtuar se duhet të merret parasysh se përveç se është shtet mik, Shqipëria është anëtare e NATO-s e si e tillë s’do të duhej të refuzohej.

Tahiri ka deklaruar se Kurti po shpërfaq agjendë mashtruese e hipokrite me kushtëzimin që i ka vënë Ramës.

“Sa i përket vizitës së kryeministrit Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë cilido qoftë ai vjen në shtëpinë e vet, te motrat e vëllezërit e tij. Mospranimi që të takohet me kryeministrin e Shqipërisë nga Albin Kurti është një ndër skandalet më të mëdha, ndër momentet që e bën të turpëruar secilin shqiptar. Edi Rama është kryeministër, nuk vjen si person privat, përfaqëson një shtet që është anëtar i NATO-s, mbi të gjitha është mik”.

“Takimi duhet të ndodhë sepse Rama e ka bërë edhe një hap tutje që 13 marrëveshjet të nënshkruhen nga pala shqiptare që të plotësohet kushti i Kurtit. Këto kushtëzime e zbardhin një agjendë mashtruese, hipokrite që e ka pasur Kurti gjatë gjithë kohës, që prej platformës të bashkimit kombëtar e valëvitjes flamurit shqiptar në Kuvend, që i ka harruar të gjitha”.

Tahiri, ka deklaruar të enjten se partitë e tjera opozitare kanë shprehur gatishmërinë për ta nënshkruar mocionin e iniciuar nga AAK-ja për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Sipas tij, kjo është mënyra e vetme demokratike për rrëzimin e Qeverisë e cila sipas tij, e ka varfëruar Kosovën.

“Ne kemi ngrit një mocion për rrëzimin e Qeverisë Kurti sepse ne mendojmë që mënyra e vetme demokratike është kjo. Na kemi qenë shumë të qartë që nga fillimi. Sa i përket masave të Qeverisë, ne masat i bëjmë në Kuvend. Platformën e debatimit publik e të adresimit të temave, ne e shohim këtu ku e kemi mandatin. Në aspektin e bojkotimit kemi marrë një vendim i cili do të reflektojë në komisione, në Kryesi dhe në seancë por ne e shohim rrugën tjetër. Partitë opozitare se kam biseduar me shefat e grupeve parlamentare, kanë shprehur gatishmëri që t’i vendosin nënshkrimet dhe ta sjellim një vendim në Kuvend. Jam i bindur që një shumicë shqiptare dhe pakicat pa Listën Serbe, është e gatshme që t’ia jep verdiktin e merituar kësaj qeverie e cila e varfëroi skajshmërisht Kosovën në rrafshin e brendshëm”.

Të ngjashme