Ish-kryenegociatorja e dialogut, Edita Tahiri, po thotë se me vizitën e ndërmjetësuesit Miroslav Lajçak, dhe përfaqësuesit amerikan Gabriel Escobar, është momenti i duhur që BE të përcaktohet e të konfirmojë se është në linjë të njëjtë me ShBA-në sa i përket çështjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo sipas saj, meqë Bashkimi Europian, si ndërmjetësuese e dialogut, duhet të qartësojë qëndrimin e saj se në dialog ka në angazhimin e saj e ka në fokus njohjen reciproke mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.
”Vizita e përbashkët në Kosovë e emisarëve, amerikan dhe evropian për dialogun, Escobar dhe Lajçak, ka shume rëndësi sepse ky është momenti kur Bashkimi Evropian duhet të deklarohet zyrtarisht se angazhohet për dialog që ka në fokus njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu njësojë siç e bëri SHBA-ja, dhe presidenti amerikan Biden gjë e cila u konfirmua edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë”.
”Prandaj mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të kërkoj nga BE-ja të deklarohet se angazhohet për njohje reciproke në dialog, duke konfirmuar kështu që janë në linjë të njëjtë me SHBA-të. Është koha dhe i takon BE-së si ndërmjetëse e dialogut të qartësoj qëndrimin e vet, duke konfirmuar qëndrimet e përbashkëta me amerikanët, që i jep kuptimin kësaj vizite të përbashkët”.
”Andaj, jam e bindur se ka ardhur koha që BE-ja të flasë me një gjuhë të qartë dhe të shmanget nga praktikat e mëhershme të komunikimit ambivalent, sepse kjo do të ndihmonte që ky dialog të dal nga kjo gjendje apatie ku ndodhet tash sa vite”.