Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se Ministria e Drejtësisë së Republikës së Serbisë ka dërguar kërkesë për shkëmbim të informatave rreth hetimeve që po zhvillohen në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
“Unë sot do t’i përgjigjem Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Serbisë ku do të shprehim gatishmërinë dhe vullnetin tonë për bashkëpunim dhe për ndarjen e informacioneve për zbardhjen e këtij rasti”, ka thënë Tahiri për Radion Evropa e Lirë.
“Por, në asnjë rrethanë, deri më tani nuk kam marrë asnjë kërkesë e cila kërkon përfshirjen e autoriteteve serbe në hetimin e kësaj ngjarje”, ka sqaruar Tahiri.
“Natyrisht, po të marrim një kërkesë të tillë do të jetë e papranueshme për institucionet e Republikës se Kosovës sepse asnjë institucion jashtë Republikës së Kosovës nuk mund të përfshihet në hetime të tillë pa qenë i ftuar nga Republika e Kosovës”, ka deklaruar ministri Tahiri.