Tahiri: Pushteti i Kurtit çdo ditë po shndërrohet në regjim politik arbitrar

Prishtinë | 09 Kor 2021 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri thotë se Kurti përveçse e ka shndërruar pushtetin e tij në ndërmarrje të punësimit familjar, pushteti i tij po shndërrohet edhe në regjim politik arbitrar, raporton Gazeta Express.

Tahiri ka shkruar se kjo tashmë është edhe pikëpamje e shoqërisë civile dhe partnerëve strategjik të Kosovës.

“Pushteti i Albin Kurtit, përveçse është shndërruar në ndërmarrje për punësim familjar, për çdo ditë po shndërrohet edhe në regjim politik arbitrar, duke devalvuar institucionet publike dhe mekanizmat e pavarur. Kjo tashmë nuk është vetëm pikëpamje jona e bazuar, por edhe pikëpamje e shoqërisë civile, partnerëve strategjik të Republikës sonë dhe çdo qytetari që po i sheh qartazi veprimet e këtij pushteti. Prandaj, ne do t’i kundërvihemi me çdo mjet demokratik e ligjor kësaj mësymje arbitrare”, ka shkruar ai.

Tutje shefi i deputetëve të PDK-së ka thënë se qeveria Kurti ka tendencë të qartë për të shembur çdo traditë të mirëfilltë institucionale.

“Grupi Parlamentar i PDK-së, tashmë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin antikushtetues për shkarkimin e Komisionit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Që nga ngjizja e idesë për të ndërhyrë në këtë institucion, tek vlerësimi irracional dhe veprimi arbitrar për shkarkimin e tij, siç edhe në institucionet tjera të pavarura, përbëjnë tendencë të qartë për të shembur çdo traditë të mirëfilltë institucionale, brutalisht e në kundërshti me ligjet e Kushtetutën. Por ne do ta ballafaqojmë këtë pushtet, jo vetëm me këtë rast por me çdo rast e shkelje që po e ndërmerr me paramendim, në dëm të institucioneve publike e të pavarura të shtetit tonë”, ka thënë ai.

Të ngjashme