Qëndrueshmëria e koalicionit PAN varet prej rezultateve që ka secila parti brenda vetes. Madje edhe prej raportit të brendshëm të këtyre të fundit. Kjo për shkak se ky koalicion është bërë për dy ose tri orë.
Kështu thotë në një prononcim për Ekonomia Online analisti politik Ramush Tahiri.
“Është me rëndësi të shihet se ky koalicion ndërmjet PDK-së, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës sa vota ka marrë brenda vetvetes dhe sa deputetë ka secili subjekt brenda vetes, sepse është një koalicion që është bërë për dy tri orë dhe qëndrueshmëria varet prej rezultateve të pritshme dhe varet prej raportit të brendshëm ndërmjet veti”, ka thënë ai.
Tahiri tregon edhe mënyrën se si mund të formohet qeveria.
“Neni 95 i Kushtetutës e përcakton qartë që pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenti i Republikës së Kosovës në konsultim me partinë politike, apo me subjektin, apo me koalicionin që është fitues i zgjedhjeve e dekreton mandatarin. Mandatari në afat prej 15 ditësh është i obliguar që të shkojë në Kuvend me listën e Qeverisë dhe të votohet, nëse nuk votohet dhe nuk i fiton votat e nevojshme prej 61 deputetësh, atëherë konsiderohet që qeveria nuk është zgjedh te mandatari i parë dhe presidenti tash në afat prej 10 ditësh e cakton mandatarin tjetër sipas të njëjtës procedurë”, ka pohuar Tahiri.
Sipas tij presidenti i vendit Hashim Thaçi nuk e ka komoditetin që t’ia jep mandatarin kujt dëshiron, sepse nëse vendi shkon në zgjedhje përgjegjësia direkte mbetet tek ai.
“Presidenti nuk e ka as diskredicionin, as komoditetin që t’ia jep kujt të do, ose t’ia jep koalicionit të parë, sepse nëse shkon vendi në zgjedhje përgjegjësia direkte është e presidentit dhe konsekuencat dhe pasojat për këto zgjedhje, por edhe për rezultatet dhe për këtë vendim janë drejtpërdrejtë të presidentit të Kosovës. Duke e ditur që presidenti është një figurë e paanshme institucionalisht do të bëjë konsultimet me partitë politike, dhe nëse edhe më mirë këta arrijnë që t’i deponojnë nënshkrimet për zgjedhjen e qeverisë, dhe nëse në ato nënshkrime janë më shumë se 61 deputetë, shansin për t’u bërë kryeministër do ta ketë Albin Kurti si kandidat i Vetëvendosjes, ose do ta ketë Vetëvendosja si parti e dytë fituese, por që do të merret vesh me partnerët e koalicionit se cili do të jetë figura e kryeministrit rreth së cilës do të bashkohen dhe do ta zgjedhin qeverinë”, ka thënë ai.
Sa i përket asaj se a mund të ketë ngërç politik nëse PAN-i nuk mund ta formojë qeverinë, Tahiri është shprehur optimist se nuk është situata për një gjë të tillë.
“Numrat nuk janë që të ketë ngërç politik, sepse Kosova gjithmonë do të ketë kësi zgjedhje dhe gjithmonë do të ketë kësi rezultatesh. Me këtë sistem zgjedhor, me një zonë zgjedhore dhe me një qytetarë, pesë vota ose pesë kandidatë që i voton ne gjithmonë nuk do të kemi asnjëherë as koalicion fitues dominant, e as parti dominuese fituese. Praktika edhe në vende të tjera e tregon këtë dhe ngërçi është i përhershëm, mirëpo numrat janë”, ka thënë ai.
E duke folur për procesin zgjedhor ai ka thënë se kemi pasur zgjedhje demokratike të cilat kanë kaluar pa eksese.