Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas takimit me drejtuesit e KEDS-it, ka thënë se Qeveria është duke e neglizhuar çështjen e krizës energjetike në vend, raporton Ekonomia Online.
Tahiri, i cili e cilëson çështjen e energjisë si çështje strategjike, ka kërkuar nga Qeveria që të fillojë me ndërmarrjen e hapave të nevojshëm para sezonit të dimrit, kur pritet shtrenjtimi edhe më i madh i energjisë.
“Ne si subjekt politik çështjen e energjisë e kemi gjithmonë çështje strategjike, si e lidhur me zhvillimin ekonomik por edhe me sigurinë kombëtare të vendit që po shihet qartë që është një problem po ashtu serioz”.
“Sot takuam drejtorin e KEDS-it, nga i cili u informuam për zhvillimet dhe përgatitjet që janë duke u bërë për sezonin e dimrit. Ngritëm disa çështje, sa është përgatit dhe sa po përgatitet KEDS-i që qytetarët e Kosovës ta kalojnë dhe të kenë drita gjatë një sezone që nuk do të jetë e lehtë, e dyta ka të bëjë drejtpërdrejtë me raportet me Qeverinë”.
“U interesuam se a kanë bë ndonjë veprim bashkë me Qeverinë në raport me ndërtimin e kontratave afatgjate. Edhe nga ZRrE-ja por edhe nga këtu shohim që Qeveria është duke e neglizhuar vërtetë këtë çështje. Kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht të nisë themelimin e task-forcës në mënyrë që me u ballafaqua me një problem që ka me qenë real. Kur të vijë dimri, mos të thonë jemi vonë apo janë rritë çmimet. Pritet që çmimi të trefishohet… Ne do të vazhdojë takimet edhe me institucionet tjera”, tha Tahiri.
Tutje, shefi i GP të AAK-së, tha se është me rëndësi që Qeveria ta kryejë punën e saj dhe të ndalet rritja e cmimeve.
“Problemi vjen vetëm duke u rritur. Nëse tash nuk ka veprime , nuk ka strategji, atëherë është shumë problem. Dy tema janë kryesore për ne, e para që Qeveria ta bëjë punën e vetë, e dyta të mos ngriten çmimet në asnjë formë”.
Ndërsa, deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, tha se nga takimi u informuan për mungesën e kontratave afatgjate, të cilat KEDS-i i sheh si problematike.
“Sa i përket vizitës së sotme ne ishim të komunikojmë dhe të informoheni drejtë dhe mirë për përgjegjësinë që e ka KEDS sa i përket shtrirjes së rrjetit dhe përmbajtjes së rrjetit që të përgatiten me kohë. Ajo që e morëm si informacion është që KEDS-i është i shqetësuar sa i përket furnizimit me energji elektrike sepse Qeveri na këtë drejtim nuk e ka bërë asnjë hap që të kemi kontrata afatgjate”, tha Lekaj, raporton EO.