Tahiri-Qeverisë: Ku është Ligji i Pagave, ku jeni fshehur

Prishtinë | 31 Mar 2022 | 09:47 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri ka ngritur shqetësimet për tri çështje që ende nuk janë implementuar nga Qeveria Kurti, ndonëse tha se ato janë premtuar se do të kryhen në muajin mars, siç është Ligji i Pagave, ngritja e pagës minimale dhe mundësia që qytetarët ta tërheqin një pjesë nga Trusti, raporton Ekonomia Online.

“Ku është Ligji i Pagave”, është mbishkrimi që Tahiri ka shfaqur para gazetarëve.

Në një konferencë për medie, Tahiri ka thënë se ky ligj ka qenë pjesë e agjendës legjislative të vitit 2021.

“Pyetja e parë është: ‘Ku është Ligji i Pagave?’ Ku jeni fshehur me këtë ligj. Ku është procesi i punës për finalizimin e Ligjit, pse na keni thënë se ligji bëhet në mars, a ka qenë në atë kohë vetëm sa me i mashtruar shërbyesit civilë, sindikatat apo është pazotësi e juaj se nuk dini me bë ligjin. Nuk është obsesioni as i imi personal e as i AAK-së, është obligim që duhet ta kemi si deputetë e përfaqësues të popullit”, ka thënë Tahiri. “Është me rëndësi të flitet sinqertë. Është normale nëse kryeministri e ministri të thonë se s’kemi mundur se kemi pasur tema serioze, përgjegjësi të rënda, kemi pasur probleme, apo se nuk kemi ditur me bë. Është e pafalshme që një Qeveri që ka 50 për qind, të cilën e ka votuar çdo i dyti qytetarë i këtij vendi, të ikë e të fshihet”.

Çështja e dytë që e ka ngritur Tahiri ka të bëjë me pagën minimale dhe mundësinë që qytetarëve tu lejohet ta tërheqin një pjesë nga Trusti. Për këtë të fundit, tha se AAK-ja e mbështet si iniciativë.

Ai ka thënë se Qeveria po del e po mburret me rritje prej 10 për qind të ekonomisë, porse kjo nuk po vërehet në buxhetin e qytetarëve.

“Nuk e di a janë të vetëdijshëm qeveria se fjalët e bukura të tyre se është rrit ekonomia nuk kanë ndikim te populli. Por a është rritur buxheti familjar, një punëtori që është në sektor privat ndër ta jeni edhe ju gazetar. Çka ka përfituar qytetari i Kosovës. Ne mbështesim iniciativën e deputetit Haxhiu që të ndodh tërheqja e Trustit. Ngritja e çmimeve për derivate u raportua dje që për 80 dollarë ka rënë çmimi i naftës në BERZH, pse vazhdon të rritet çmimi, a është prapë mosdije”, ka thënë ndër të tjera Tahiri.

Tahiri ka folur edhe për rritjen e çmimeve, duke u përqendruar te çmimi i derivateve, që u raportua se ka shkuar deri 1.69 euro për litër.

“Pse nuk po funksionalizohet Autoriteti i Konkurrencës që e ka detyrë të merret me këtë temë. A është mosdije, mosguxim i veprimit, apo ka të bëjë me ndonjë aferë korruptive. Duhet të përgjigjen shumica parlamentare”, ka thënë Tahiri.

Të ngjashme