Deputetët në seancën e Kuvendit kanë diskutuar edhe për Projektligjin për të Drejtat Pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës. Kjo çështje e ka përplasur ministrin e Drejtësisë, Selim Selimin me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahirin, i cili ka kërkuar që AAK-ja të dalë në opozitë për ta mundësuar rrëzimin e Qeverisë.
Selimi fillimisht tha se miratimi i këtij Projektligji është obligim që vjen nga marrëveshja e MSA-së dhe se është e rëndësishme që të respektohet marrëveshja e parë kontraktuale që Kosova e ka me BE-në.
“Sa i përket shqetësimeve që u ngritën për blerjen e pronave nga shtetet jo mike si Rusia, Kina, Serbia, etj., unë po ju siguroj që kemi mekanizma të mjaftueshëm shtetërore që t’i kontrollojnë transaksionet e tilla e kemi inteligjencën financiare, rregulloret e BE-së. Ajo që duhet ta shohim me sy tjetër është mundësia që ky ligj i jep diasporës shqiptare që të ketë prona këtu”, tha Selimi, duke shtuar se diaspora nga Gjermania do të ketë më shumë mundësi që të përfshihet në Kosovë edhe duke blerë prona.
Ndaj kësaj deklarate reagoi deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, duke thënë se kjo Qeveri është e painteresuar që ta mbështesë këtë nismë.
“Vërtet ju përgëzoj për angazhimin tuaj personal për me çu një nismë të tillë përpara. Në anën tjetër se sa kjo mazhorancë dhe ky kryeministër është i interesuar për me i mbështet ato kategori që i përmendet ju po e shihni edhe ju sot në Kuvendin e Kosovës. Mazhoranca sot nuk ka krijuar kushte për me kalu një politikë e tillë, po del e parëndësishme për ju”, u shpreh Tahiri.
Ai tha që kjo Qeveri duhet të shkojë në shtëpi dhe vendi të shkojë në zgjedhje sa më parë.
“Këtu po e shohim jo seriozitetin tuaj dhe të kësaj qeverie në raport me një politikë me një obligim tonin në raport me BE-në që e kemi marrë dhe është dashur të kryhet para 5 viteve. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më shpejt dhe ju duheni me iu bashku opozitës me i bë votat bashkë me e çu këtë qeveri në shtëpi sepse nuk keni potencial me kalu as edhe një ligj të vetëm, dhe ekzistenca ma tutje e kësaj qeverie nuk ka kuptim”, u shpreh Tahiri.
Në kundër-replikë, ministri Selimi shtoi se obligimet që dalin nga MSA-ja duhet t’i shohin si obligime të përbashkëta, të pozitës dhe opozitës.