Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se Serbia është bërë strehë e kriminelëve që bëri gjenocid në Kosovë 20 vjet më parë dhe tani është koha që të dënohen këta kriminel, raporton Ekonomia Online.
“20 vite pas luftës shohim se Serbia jo që nuk ka vullnet të bashkëpunoj me drejtësinë, por përkundrazi kjo politikë është bërë edhe strehë e kriminelëve qe kryen krimet 20 vite më parë në Kosovë”, tha ai.
Tahiri në takimin Gjithëpërfshirës për Lansimin e Themelimit të Tribunalit për Krimet e Serbisë në Kosovë, tha se do të punojnë në implementimin e kësaj iniciative në mënyrë që kriminelët të dënohen për krimet e bëra.
“Do jemi përkrah jush në implementimin e kësaj iniciativë. Ditë më parë kemi nxjerrë një iniciativë në pamundësi për t’i kapur këta kriminel, mendoj se duke i pasë parasysh provat që kanë institucionet tona duhet edhe nëse nuk arrijmë me i nxjerr në gjykatat tona këta njerëz, t’i kenë dënimet e shqiptuara që kurdo të kapen të kenë gjobat”, shtoi ai.
Ai ka thënë se do të jetë në krye të detyrës në përkrahje të kësaj iniciative.
“Është iniciativë që do t’i shëroj plagët që i kemi të pashëruara 20 vite pas luftës, do jem në krye të detyrës time në përkrahje të kësaj iniciative”, tha Tahiri.
Jahja Lluka nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur tha se kjo iniciativë është me vonesë, por prapë asnjëherë nuk është vonë që të dënohen ata që kanë kryer krime.
“Iniciativa është me vonesë, por prapë nuk është vonë që të ndëshkohen kriminelët, ata duhet të vihen para drejtësisë. Qeveria do të bëj gjithçka që mundet për të ndihmuar familjarët, ligji për çështjen e të zhdukurve është duke u përmirësuar, kërkesat tuaja do jenë në ligj dhe Kuvendi do të aprovoj kërkesat tuja, beneficionet që i keni kërkuar do ju përmbushen”, tha ai, raporton EO.
Lluka tha se askush nuk duhet të mendoj tu ndalen beneficionet familjarëve të viktimave të luftës sepse ata dhanë familjen e tyre për ne që të jetojmë të lirë.
“Do t’i keni të gjitha që i keni meritu sepse keni dhënë familjarët tuaj”, tha ai.
Lluka tha se duhet të jemi të gjithë së bashku që të ndihmohet iniciativa për kriminelët serb.
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, në emër të gjithë studentëve dhe stafit të universitetit tha se e përkrahë fuqishëm këtë iniciativë që të dënohet krimi serb i kryer në Kosovë.