Tahiri thotë se Qeveria Kurti s’bëri gjë për të drejtat e punëtorëve në sektorin privat

Prishtinë | 18 Sht 2023 | 17:27 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas mbledhjes të kryesisë së Kuvendit, ka thënë se qeveria aktuale në pushtet ka ardhur duke premtuar avancimin e pozitës së punëtorëve në sektorin privat.

Anise sipas tij, qeveria nuk bëri asgjë për këtë kategori, Tahiri paralajmëron se AAK do ta adresojë në Kuvend këtë çështje.

”Pas mbledhjës së kryesisë, deklarova se të drejtat e punëtorëve në sektorin privat janë preokupim të cilin Aleanca do ta adresojë në Kuvendin e Kosovës. Kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë për të drejtat e punëtorëve në sektorin privat. Lëre që e ka dëmtuar ekonominë dhe ndërmarrësinë, mirëpo punëtorët në sektorin privat po ballafaqohen me probleme serioze, që ndërlidhën me orë ta gjata të punës, mungesë të kontratave, mungesë të sigurimit, me pagën e ulët minimale, e po ashtu me moskujdesin e kësaj qeverie”, është shprehur Tahiri.

Ai ka shtuar se kjo temë do të trajtohet në një seancë të radhës së Kuvendit të Kosovës.

”Kjo Qeveri ka ardhur në pushtet duke premtuar të drejtat dhe avancimin e pozitës së punëtorëve në sektorin privat. Kjo nuk ka ndodhur dhe do të trajtohet në një seancë parlamentare të radhës”, ka përfunduar Tahiri.

Të ngjashme