Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se faza e tretë e dialogut me Serbinë do të fillojë pasi të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë në të kaluarën.
Sipas saj, dialogu me Serbinë është jetik për Kosovën pasi përmes dialogut vendi po e forcon sovranitetin. Këto deklarata ministrja Tahiri i ka dhënë gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme në Kuvend.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e subjekteve opozitare kanë dhënë kritika të shumta në lidhje me dialogun e Brukselit, shkruan Gazeta “Zëri”.
Kryenegociatorja e Kosovës ka thënë se faza e re e bisedimeve do të fillojë pasi të zbatohet Marrëveshja për Kodin Telefonik, KOST-in dhe marrëveshjet e tjera.
Ajo po ashtu bëri të ditur se temat që do të diskutohen në rundin e tretë të bisedimeve me Serbinë do të jetë Demarkacioni në mes të dy shteteve, si dhe reparacionet e luftës në kuadër të së cilës është: pamundësimi i Serbisë që ta pengojë Kosovën në procese ndërkombëtare, si dhe heqja e Kosovës nga kushtetuta e Serbisë.
Ajo ka thënë se dialogu do të përfundojë me njohjen reciproke në mes të dyja shteteve.
“Njohja e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës nga ana e Serbisë; kushtëzimi i anëtarësimit të Serbisë në BE me njohjen e pavarësisë së Kosovës; pamundësimi i Serbisë që ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në organizata të tjera, duke përfshirë edhe OKB-në; pamundësimi i Serbisë që ta pengojë anëtarësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare të kulturës, sportit etj; heqja e Kosovës nga kushtetuta e Serbisë”, ka deklaruar Tahiri