Takimi Kurti – Sullivan dhe deklarata e Hovenier, reagon Shkëlzen Gashi

Prishtinë | 31 Maj 2022 | 16:51 | Nga Ekonomia Online

Analisti Shkëlzen Gashi ka reaguar pasi ambasadori amerikan në Prishtinë, Jefrey Hovenier, u shpreh i zhgënjyer me disa raportime në mediat kosovare rreth takimit të kryeministrit Albin Kurti në Washington me këshilltarin e Joe Biden, Jake Sullivan.

Gashi iu drejtua “gazetarëve duke iu thënë se ia kanë shpifur ambasadorit Hovenier për këtë çështje”.

Madje, ish-këshilltari i Kurtit theksoi se pas kësaj, ambasadori i ShBA-së u detyrua që të dalë publikisht me një deklaratë rreth vizitës së shefit të qeverisë me këshilltarin për sigurinë kombëtare të presidentit Joe Biden.

“të ‘dashur’ ‘gazetarë’, qaq fort ja keni shpifë ambasadorit amerikan në prishtinë, saqë e keni detyru me ju thanë PUBLIKISHT se disa storie që i keni publiku në mediat LOKALE janë të PASAKTA dhe ÇORIENTUESE”, shkroi Gashi në Facebook.

Të martën, Ambasadori i ShBA-së, Jeffrey Hovenier, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është takuar zyrtarin e qeverisë amerikane, Jake Sullivan, në Ndërtesën e Zyrës Ekzekutive ‘Eisenhower’ e cila është pjesë institucionale e Shtëpisë së Bardhë.

Takimi i 17 majit mes kryeministrit të Kosovës dhe Këshilltarit për Siguri Nacionale të presidentit Joe Biden është zhvilluar pranë një objekti qeveritar të Shtëpisë së Bardhë, por jo në rezidencën kryesore presidenciale.

Hovenier i ka quajtur të pasakta raportimet e disa mediave se kryeministri Kurti nuk qëndroi në Shtëpinë e Bardhë, megjithatë konfirmoi se lokacioni i takimit Kurti-Sullivan ishte Zyra Ekzekutive e Ndërtesës ‘Eisenhower’.

Të ngjashme