Ministri Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli ka pritur sot në takim pune ndihmësin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s zotin John Manza. Temë e këtij takimi ishte transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës me ç’rast ministri Demolli ritheksoi se janë të bindur se vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese duhet të bëhet ky ndryshim. Ai ka thënë se siç po shihet procesi ka ngelë edhe më tej kusht i vendimmarrjes politike, e cila varet nga votat e deputetëve serb e që ngelet sfidë edhe për legjislaturën e ardhshme.
Në fjalën e tij Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama foli për përgatitjet dhe planifikimin e ushtrimit Fushor “Shqiponja – 6” që do të mbahet në tetor, ku do të jenë pjesëmarrës ushtritë e më shumë se 10 shteteve. Ai foli për aktivitet konkrete që janë bërë për integrimin e komuniteteve pakicë në FSK e veçanërisht të komunitetit serb, pa ulur asnjëherë kriteret që ka FSK-ja. Ai theksoi se transformimi i FSK-së po e pret vendimin politik, por është me rëndësi të thuhet se ne po punojmë shumë që të jemi gati për atë ditë dhe për këtë kemi kryer përgatitjet e nevojshme si dhe planifikimet afatmesme dhe afatgjata.
E sekretari i përgjithshëm i MFSK-së zoti Shkelzen Sylaj u fokusua te përgatitja dhe nënshkrimi i strategjisë së MFSK-së për komunitetet pakicë nga ministri Demolli, pastaj ai foli për hartimin e strategjisë për ndërtimin e integritetit, për planin aksional për ngritje të integritet, projekt i cili po përkrahet nga shteti i Norvegjisë. Po ashtu ai foli për mundësinë që është krijuar për shkollimin e kadetëve të komunitetit serb në akademinë ushtarake të Maqedonisë dhe përfaqësimin e lartë gjinor në FSK dhe ministri.
Zoti John Manza nga ana e tij shprehi kënaqësinë për arritjet dhe kualitetin e lartë të FSK-së. Ai u shpreh se letra e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s zotit Stoltenberg është dëshmi e përkrahjes që NATO i jep FSK-së. Po ashtu ai vlerësoi lartë punën e mirë dhe rezultatet konkrete për integrimin e komuniteteve pakicë në FSK. Ndër të tjera në takim zoti Manza theksoi se, transformimi i FSK-së duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe të mos jetë proces i ngutshëm por ecje me hapa të sigurt.
Zoti Manza në këtë takim shoqërohej edhe nga Drejtori i Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-së për Ministrinë e FSK-së gjeneral Dietmar Mosmann si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë të NALT-it.