Iowa intensifikon mbështetjen për FSK-në

Prishtinë | 29 Qer 2017 | 15:36 | Nga

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, priti sot në takim komandantin e Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneralin Timothy Orr.

Me këtë rast, ministri Demolli falënderoi gjeneralin Orr për vizitën dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer që ka treguar në vazhdimësi Garda e Iowas për FSK-në, si dhe në veçanti e falënderoi gjeneralin për gatishmërinë e tij për thellimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.

Nga ana e tij, komandanti i Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneral Timothy Orr u shpreh se vlerëson lart profesionalizmin dhe të arriturat e deritashme të FSK-së, duke e siguruar ministrin se mbështetja për Ministrinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës do të intensifikohet edhe më shumë në të ardhmen.

Gjithashtu, gjenerali amerikan shprehu përkrahjen e tij për FSK-në edhe lidhur ma hapat që ajo ka ndërmarrë për integrimin e pjesëtarëve të komunitetit serb në radhët e saj, gjë të cilën edhe është duke e bërë me mjaft sukses sidomos në vitet e fundit.

Gjenerali Timothy Orr së bashku me një delegacion ushtarakësh të Garda Kombëtare dhe të Qeverisë së  Iowas po qëndrojnë për vizitë në vendin tonë, në kuadër të bashkëveprimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të parapara sipas marrëveshjes së partneritetit shtetëror Kosovë -Iowë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme