Talibanët i kanë vlerësuar lart sulmuesit vetëvrasës që kanë vdekur gjatë luftës kundër qeverisë së kaluar të Afganistanit dhe aleatëve të saj perëndimorë. Familjarëve të sulmuesve u ofruan të holla iu premtuan toka, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme.
Sirajuddin Haqqani, ushtrues i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, për kapjen e të cilit ShBA-ja ofron shpërblim prej 10 milionë dollarësh dhe e cilëson “terrorist global”, u takua me familjarët e të vrarëve në një ceremoni të mbajtur në hotelin “Intercontinental” në Kabul, që ishte cak i sulmuesve vetëvrarës më 2018.
“Në fjalimin e tij, ministri i çmoi xhihadin dhe sakrificën e martirëve dhe muxhahidinëve dhe i quajti heronj të Islamit dhe të shtetit”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme të Afganistanit, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Familjarëve të sulmuesve vetëvrasës iu dhanë rroba, nga 10.000 afganë (valutë vendëse) ose rreth 95 euro si dhe iu premtua pjesë tokash, tha zëdhënësi Qari Sayeed.
Ndryshe, Haqqani kërkohet për t’u marrë në pyetje nga FBI-ja në lidhje me një sulm në një hotel të Kabulit në vitin 2008, ku kishin mbetur të vrarë gjashtë persona, përfshirë një amerikan.
Pas ardhjes në pushtet të talibanëve në gusht, militantët e ISIS-it kanë kryer një varg sulmesh vetëvrasëse në xhami dhe vende të tjera, duke lënë të vdekur qindra civilë.