Targat “shpërbëjnë” QUINT-in- si reaguan pesë ambasadat për mosmarrëveshjen në Bruksel

Prishtinë | 22 Nën 2022 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Pesëshja e QUINT-it nuk ka dalë mbrëmë me deklaratë të përbashkët pas zhvillimeve të djeshme në Bruksel. Veçmas, shtetet kanë dhënë qëndrimet jo të njëjta. Targat duket se kanë përçarë edhe Perëndimin.

Në 24 orët e fundit pati zhvillime dramatike, që rezultuan pa një marrëveshje rreth konvertimit të targave ilegale të lëshuara nga Serbia për rajone të Kosovës.

Por, të gjitha zhvillimet e djeshme në Bruksel, pesë shtetet e QUINT-it; SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia nuk dolën me një qëndrim të përbashkët, e as nuk dhanë sinjale se mendojnë njëzëri rreth raporteve të fundit Kosovë-Serbi.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka rishpërndarë në profilin e tij në Tëitter deklaratat e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, ku fajësonte Kosovën për mosarritjen e një marrëveshjeje për targat në Bruksel.

Ambasada amerikane në Prishtinë nuk u përfshi në polemikën e BE-së me Kosovën. Në mesnatë, Ambasadori amerikan Jeff Hovenier, njoftoi se i ka kërkuar Kryeministrit Kurti që të shtyjë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për targat, që ishte gjobitja e poseduesve të targave ilegale. Dhe, Kurti e pranoi propozimin e Ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier.

Këtë shtyrje të kërkuar nga amerikanët, ambasadori gjerman e ka parë si “më shumë kohë” për të punuar Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajcakun.

“Është aburde të rrezikosh me eskalim për targa. Na duhet më shumë lidership, më pak pragje”.

Mbretëria e Bashkuar ka befasuar sërish me qëndrimin për targat. Ishulli i larguar nga Bashkimi Evropian që nga fillimi nuk ka bërë presion ndaj Qeverisë së Kosovës për targat.

“Të gjitha palët duhet të shmangin veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të tensionit, apo rrezikojnë sigurinë. Është nevojë e menjëhershme të bëhet progres në marrëveshjen normalizimi që do t’i bënte të parëndësishme mosmarrëveshjet si çështjen e targat”, thuhej në reagimin e Ambasadorit Abbott.

Edhe Kryeministri Kurti u ankua dje në Borrellin, që, sipas tij, ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e raporteve dhe është ndalur vetëm te targat.

Franca, ndërkaq sot, i ka dhënë mbështetjen Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, duke i kërkuar Kosovës ta pranojë propozimin e tij për një marrëveshje specifike, ku Serbia nuk do të lëshonte më targa ilegale, e Kosova nuk do të zbatonte vendimin për riregjistrimin e targave aktuale ilegale,

“Ajo[Franca] i bashkohet thirrjeve të Bashkimit Europian për të shmangur çdo veprim të njëanshëm që mund të nxisë tensionet. Ai u kërkon të dyja palëve – dhe në veçanti Kosovës – të pranojnë propozimin e kompromisit të formuluar nga Bashkimi Europian”, ka shkruar Ambasador francez në Prishtinë, Olivier Guerot.

Italia nuk ka publikuar ndonjë qëndrim rreth zhvillimeve t fundit por kjo mund të ndodhë sot kur në Kosovë të vijë Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë Antoni Tajani i cili do të takohet me Osmanin e Kurtin

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it u panë bashkë për të fundit herë në një vizitë te Kryeministri Kurti ditën që ai nuk e shtyu vendimin për target, por e shkallëzoi zbatimit e tij.

Pas bërjes publik të vendimit nga Kurti, nuk pati më deklaratë të përbashkët të QUINT-it. As atë ditë, as pas zhvillimeve të tjera në cështjen e targave.

Përfaqësuesit amerikanë vazhduan të shprehin “shqetësimin” dhe “zhgënjimin”, që Qeveria e Kosovës nuk po pranonte ta shtynte zbatimin e vendimit për targa.

Janë angazhuar zyrtarë të lartë të shtetit, për ta ripërsëritur këtë kërkesë. Edhe ambasada gjermane ka kërkuar shtyrje. Ambasadori Rohde disa herë ka përsëritur se është absurde të ketë tensione për një cështje si targat e automjeteve.

Dhe kur raportohej se pjesëtarët e Qeverisë Kurti kanë nisur të ndërshkohen nga SHBA-ja, duke iu anuluar vizitat atje, Kryeministri Kurti u shfaq në Londër, pa paralajmërim.

Vetëm dy ditë pasi mori vendim për nisjen e zbatimit të vendimit për targa, Kurti u prit në Londër nga Sekretari për Punë të Jashtme, James Cleverly.

“Diskutuam për marrëdhënien Kosovë-Serbi dhe për nevojën për guxim dhe kompromis, për të përfituar qytetarët e të dy shteteve. Raportet Mbretëri e Bashkuar – Kosovë janë të forta dhe gjata”, thoshte Kryediplomati britanik.

Të ngjashme