Kohëve të fundit janë raportuar raste të shumta ku policët kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve. Me këto raste nuk po pajtohet Shaban Tasholli, nënkryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Tasholli në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë pavarësisht çfarë vepre penale kryen qytetari në momentin kur ai dorëzohet në stacionin policor nuk mund të keqtrajtohet nga zyrtarët policor.
“E kam parë atë skenë dhe ne jemi në mbrojtje të qytetarëve 24 orë, ai rast që e ka përdor ai koleg e kanë gjykuar të gjitha instancat dhe është e papranueshme dhe duhet të merren masa ndaj tyre pavarësisht cilën shkalle e ka keqpërdor. Pavarësisht veprën që e bënë qytetari kur dorëzohet në stacion më polici nuk ka të drejtë të shtron dhunë ndaj tij apo të vetëmbrohet. Po është i suspenduar sipas standardeve që i kemi ne edhe gjyqi është duke u marr me të”.
Mes tjerash ai ka shtuar se policët vazhdimisht trajnohen se si duhet të sillen me qytetarët dhe në cilat raste mund të përdoret forca.
“Së pari trajnimet që i bëjnë policët prej ditës së parë dhe ata e dinë saktë se ku mund ta përdorin forcën dhe çdo tejkalim i autorizimit zyrtar pavarësisht mënyrën kohën dhe vendin atëherë do të dënohen nga të gjitha organet tona. Ftojë qytetarët se nëse kanë asi raste ku polici kalon autorizimin zyrtar të denoncohen dhe të lajmërohen për sjelljen e policit ndaj atij qytetari. Por çka është evidente te ne është se ka një disiplinë të brendshme polici inspektohet nga shefi i ndërrimit, pastaj vjen drejtori dhe është inspektimi i brendshëm, janë standardet është inspektorati dhe të gjithë këto me rend e përcjellin policin për punën e tij të bërë”.
Mirëpo, ai ka përmendur raste ku polici është vetëmbrojtje, por i që i njëjti është dënuar. Ai më tej ka sqaruar se 12 zyrtarë policor kanë vdekur si pasojë e infektimit me Coronavirus, raporton EO.
“Kemi raste kur polici e përdor armën në vetëmbrojtje apo në mbrojtje të institucionit edhe aq merren masa ndaj tij që nuk mundesh me marr me mend, prapë polici ka hyrë në burg duke e mbrojtur kolegun e punës, dhe ai person që ka dal prej burgut kur në Kosovë nuk ka jetuar më. Polici nuk ka mbështetje aspak. Betejën e kanë humbur 12 policë nga Covidi, ndërsa të infektuar kemi afro 500. Tani orari është 8 orësh”.
Ndërsa sa i përket shtesave për policit nënkryetari i sindikatës Tasholli thotë se ndaj tyre është bërë padrejtësi pasi që ata kanë kërkuar trajtim të barabartë si mjekët dhe mësimdhënësit.
“Sa i përket shtesave vërtet është bërë një padrejtësi ndaj policisë, kjo bisedë ka qenë me kryeministrin edhe me ministren e Financave, sepse në takimin që e kemi pasur ne kemi rënë dakord që të paguhemi si shëndetësia dhe ne kemi ndarje 1.6 milionë ku paguhen 4 mijë policë, por tani edhe arsimin e përfshijnë në pako kur ne e dimë se si punon arsimi ndërsa policët nuk kanë pasur 7 muaj pushim dhe nuk na japin përgjigje as kryeministri as ministrja e financave dhe as ministri i punëve të brendshme, dhe ne kemi paralajmëruar protesta mirëpo në këtë situatë që jemi tani nuk mundemi”.
“Pakënaqësia jonë po mbetet në ajër ku nuk ka përgjegjësi nga shteti jonë. Ne kemi kërkuar shtesa prej 100 euro, kemi kërkuar 100 euro të paguhet krejt policia e Kosovës. Në bazë të asaj që po shihet fare, sepse tani janë zgjedhjet”.