Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbajtur seminar për tatimpaguesit me veprimtari ndërtimore me temën: “Aplikimi i ngarkesës së kundërt të TVSH-së për furnizimin e shërbimeve në lëmin e ndërtimit, brenda vendit”.
Sami Salihu, drejtor i Shërbimit dhe Edukimit të tatimpaguesve në ATK, ka thënë se ende nga të gjithë tatimpaguesit nuk është duke u zbatuar drejt aplikimi i ngarkesës së kundërt të TVSH-së për ofrimin e shërbimeve në lënin e ndërtimit.
Kjo, sipas tij, është vlerësuar bazuar në pyetjet të cilat i dërgojnë tatimpaguesit në ATK. Andaj ATK ka vlerësuar dhe ka organizuar këtë seminar me qëllim të informimit më për së afërmi me aplikimin e ngarkesës së kundërt për furnizimin e shërbimin në lëmin e ndërtimit brenda vendit, raporton Ekonomia Online.
“Obligimi i pagesës së TVSH-së, bartet tek personi i tatueshëm, i regjistruar për TVSH në Kosovë, për të cilin janë kryer furnizimet. Personi i obliguar për të paguar TVSH është personi i tatueshëm të cilit i janë furnizuar punët ndërtimore (pranuesi i shërbimit), duke përfshirë riparimin, pastrimin, mirëmbajtjen, shërbimet e modifikimit dhe në lidhje me pasurinë e paluajtshme”, ka theksuar Salihu.
Ai u ka shpjeguar se cilët janë personat të cilët janë personat që obligohen të zbatojnë aplikimin e ngarkesës së kundërt për TVSH, si: investitori, kontraktori (punëkryesi) dhe nënkontraktori.
Investitori është personi, i cili financon punët ndërtimore në pronën e paluajtshme, kontraktori është personi, i cili në mënyrë të drejtpërdrejt ka lidhur kontratë me investitorin për punët ndërtimore në pronën e paluajtshme dhe në nëkontraktori është personi i cili në mënyrë të drejtpërdrejt ka lidhur kontratë me kontraktonin për punët ndërtimore në pasurinë e paluajtshme.
Ky seminar ka pasur për qëllim që tatimpaguesit e veprimtarisë ndërtimore të informohen lidhur me zbatimin e aplikimit të ngarkesës së kundërt për shërbimet në lëmin e ndërtimit.