Komuna e Prizrenit përmes veprimeve të ndryshme po tenton që të rrisë arkëtimin e mjeteve nga tatimi në pronë. Së fundmi, zyrtarët e lartë të Ekzekutivit lokal kanë njoftuar se Drejtoria e Financave do të punojë edhe të shtunave dhe se palët mund t’i kryejnë obligimet ndaj tatimit në pronë.
“Për shkak të kërkesave të shumta nga qytetarët, Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave do të punojë edhe të shtunave, më 22.12 dhe 29.12.2018. Të gjithë qytetarët kanë mundësi që të kryejnë shërbimet e tatimit në pronë”, ka bërë të ditur drejtori i DEF-it, Ertan Simitçi.
Pak javë më parë Komuna e Prizrenit pati lëshuar një tjetër njoftim për tatimpaguesit e tatimit në pronë, duke paralajmëruar se moskryerja e obligimeve rezulton me kamata dhe dënime.
“Njoftohen të gjithë tatimpaguesit e Komunës së Prizrenit se pagesa e tatimit në pronë për këstin e dytë për vitin 2018 do të përfundojë më 31 dhjetor. Më 1 janar 2019, ashtu si parashihet me Ligjin e tatimit në pronë, do të aplikohet kamata dhe dënimi për të gjithë ata tatimpagues që nuk i kanë kryer obligimet. Në mënyrë që të mos ndëshkohen me kamata dhe dënime, luten qytetarët që deri më 31 dhjetor të vitit 2018 ta paguajnë këstin e dytë të borxhit të tatimit në pronë”, shkruan në këtë njoftim.
Komuna e Prizrenit prej vitesh kushtëzon procesin e regjistrimit të automjeteve me pagesën e tatimit në pronë dhe taksës për mbeturinat.