Taulant Kryeziu i bashkohet Vetëvendosjes

Prishtinë | 30 Gus 2019 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Analisti i çështjeve të integrimit evropian, Taulant Kryeziu, zyrtarisht është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajmin për aderimin e tij, e ka bërë të ditur vetë kryetari i VV-së, Albin Kurti, duke e quajtur Kryeziun ndër ekspertët më të shquar në fushën e integrimit evropian.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Taulanti ka përvojë dhjetë vjeçare nga institucionet publike, akademia dhe shoqëria civile në fushën e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Taulanti ka qenë bashkë-themelues i Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), si dhe bashkë-themelues dhe Kryetar i Bordit Ekzekutiv të Institutit Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK). Po ashtu, ai ka qenë pjesë e botës akademike si ligjërues në universitetin publik dhe disa kolegje private në Kosovë. Në kuadër të proceseve shtet-ndërtuese ai ka pasur rol kyç këshillues gjatë negociatave të Marrëveshjes Stabilizim Asocimi në mes Kosovës dhe BE-së”, ka shkruar ai.

Kurti tutje ka treguar se, Kryeziu ka mbaruar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, çmimin student i dalluar, dhe MSc nga Shkolla Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike në Londër (LSE).

“Taulanti është një zë i rëndësishëm në diskursin publik për çështjet që lidhen me proceset integrues në BE, si dhe rrugën kushtetuese të procesit të dialogut me Serbinë. Puna e tij hulumtuese dhe qëndrimet e tije publike janë mbuluar vazhdimisht në media kryesore të vendit. Taulanti është i biri i Ali Kryeziut, Jurist, diplomat, i dënuar me 5 vjet burgim të rëndë, si pjesëtar themeltar i “Grupit të Intelektualëve”, së bashku me Ukshin Hotin, Ekrem Kryeziun, dhe Halil Alidemen. Taulanti është nipi i dëshmorit të kombit Dr. Halil Berishës”, ka shkruar ai.

Të ngjashme