Polici dhe mjeku që u arrestuan dje, pasi u kapën me marijuanë do të qëndrojnë në arrest derisa gjykata t’u caktojë masë sigurie.
Dy të arrestuarit e mbrëmshëm nga policia në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës do vazhdojnë të jenë në arrest deri në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake.
Dy të arrestuarit e mbrëmshëm janë pjesëtari i Policisë së Kosovës Shemsedin G., hetues në Krimet Rajonale të Mitrovicës dhe mjeku i dhëmbëve Valon M.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurori kujdestar i prokurorisë në Mitrovicë Nijazi Rexha.
“Dy të dyshuarit vazhdojnë në arrest deri në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, nuk mund të them me shumë sepse jemi duke punuar rreth këtij rasti”, tha Rexha.
Polici dhe mjeku dyshohen se ia kanë mësyrë veriut të vendit për të transportuar drogën e llojit marijuanë.
Droga e cila bartej me makinën private në të cilën ishte hetuesi Shemsedin G. është ndaluar në Mitrovicën Veriore në një aksion të koordinuar.
Aata ranë në pritë në Lagjen e Boshnjakëve, ndërsa në makinën e tyre u zbuluan mbi 7 kilogramë drogë.