Te Ballkani festën e madhe e planifikojnë pas finales së Kupës

Prishtinë | 20 Maj 2024 | 10:33 | Nga Ekonomia Online

Festën e madhe skuadra suharekase planifikon ta bëjë të shtunën.

“Me trofeun e dytë”, thotë kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç të dielën. “Vetëm Kupa na mungon”.

Edhe një prej lojtarëve kryesorë në suksesin e tri edicioneve të Ballkanit, Nazmi Gripshi thotë se synimi i radhës është triumfi në Kupë.

Ballkani të mërkurën nga ora 15:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas luan në finale të Kupës së Kosovës kundër Prishtinës.

“Ka mbetur edhe finalja e Kupës, trofe që po ashtu synojmë ta fitojmë dhe pastaj të shtunën kemi festën e madhe, të tretën me radhë. Është historike, pasi po e fitojmë për herë të tretë rresht titullin kampion të Kosovës. Do të kemi pushime të mira e pastaj të mendojmë për Evropën. Jemi shumë më të relaksuar pas triumfit në kampionat”, ka thënë Gripshi për KOHËN.

Deri në fund të kampionatit ka mbetur edhe një xhiro. Ndeshjet e xhiros së 36-të zhvillohen të shtunën e ardhshme. Ballkani e ka ndaj Prishtinës edhe ndeshjen e fundit kampionale. Por ndeshja në kampionat pak ka vlerë.

Vlerë ka ndeshja për Kupë. Prishtina synon mbrojtjen e Kupës dhe njëherësh të siguroi një vend në garat kualifikuese të Ligës së Evropës. Nëse humb ndeshjen finale, vend në kualifikimet e Ligës së Konferencës do të ketë për Malishevën. Prishtina me humbje mbetet pa dalje në Evropë.

“Kam ardhur si kampion te Ballkani dhe kisha shumë dëshirë të bëhesha kampion edhe me Ballkanin. Me ekipin që kemi krijuar në tre vjetët e fundit, kemi qenë shumë të fortë dhe kemi treguar që jemi më të fortit e kampionatit”, është shprehur Gripshi.

Edhe kapiteni Kuç thotë se Ballkani e ka treguar nga fillimi i edicionit se me meritë në fund i gëzohet triumfit.

“Nga fillimi kemi qenë në pozitën e liderit. Vetëm një javë na ka marrë Llapi. Por në ndeshjet e rëndësishme ne treguam kualitetin. Është historike për ne. Këtë që kemi bërë tash e ka bërë vetëm Besa. Është kënaqësi e madhe për ne. Kemi festuar pak, por duhet t’i përkushtohemi punës për të mbyllur me sukses edhe finalen e fundit, atë ndaj Prishtinës për kupë. Kupa është trofeu i vetëm që na mungon. Ajo do të jetë qershia mbi tortë për ne”, ka thënë Kuç.

Kuç është një prej lojtarëve kyç në suksesin e Ballkanit. Ai po ftohet rregullisht së fundi te Mali i Zi. Do të ftohet edhe për ndeshjet e muajit të ardhshëm. Por thotë se ka një mision për të përfunduar me Ballkanin – ta fitojë edhe Kupën.

“Pasi të përfundojmë edhe ndeshjen për Kupë dhe të fundit në kampionat, do të kemi pak pushim. Unë jo ndoshta për shkak të angazhimit me përfaqësuesen. Por do të përgatitemi maksimalisht për këtë ndeshje të Kupës. Duam që ta përmbushim këtë edicion dhe pastaj të fokusohemi për garat evropiane, ku synim kemi edhe një hap tjetër para. Ballkani ka fituar përvojën, por të jem i sinqertë nuk është se e kemi menduar aq larg. Jemi fokusuar totalisht në garën për Kupë. Unë vitin e parë e kam humbur një finale kundër Prishtinës dhe tani kam dëshirë ta fitoj. Të gjithë në skuadër kemi dëshirë ta fitojmë Kupën”, ka thënë Kuç.

Të ngjashme