Interpelanca e paralajmëruar për t’u zhvilluar ndaj kryeministrit Isa Mustafa do të jetë të enjten ( 29 shtator), kur edhe do të mbahet seanca e radhës.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
“Demarkacioni nuk është në rend dite. Qeveria ndoshta ka hequr dorë nga kjo”, ka theksuar Lekaj.
Sipas tij, “edhe nëse e shihni rendin e ditës, gjërat janë të rëndësishme vetëm për koalicionin qeverisës e jo për qytetarët”.
“Mendoj që Qeveria ka hequr dorë nga ky version dhe mu për këtë nuk po e shihni në rend dite. Në rend dite nuk ka ndonjë çështje që mund të përfitojnë qytetarët, por koalicioni qeverisës për interesa të ngushta kanë nguti”, ka theksuar Lekaj.
Sa i përket çështjes së demarkacioni, ai ka thënë se “versioni i demarkacionit është i vdekur”.