Ndeshja e parë finale e plejofit në kampionatin e Kosovës në hendboll për meshkuj luhet të enjten (nesër) nga ora 21:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Kampionia aktuale, Besa FamGas takohet me Prishtinën, që e kishte rivalin më të madh këtë edicion. Ndeshja e dytë luhet në fundjavë në kryeqytet, ndërsa skuadra që shënon dy fitore, apo një fitore e një barazim, shpallet kampione. Në ndeshjen e tretë eventuale, vendase është Besa për shkak se kampionatin e rregullt e ka përfunduar në pozitë më të mirë se Prishtina. Besa ishte e para në Superligë me 54 pikë nga 28 ndeshje, ndërsa Prishtina e dyta me 50 pikë.
Në gjysmëfinale të plejofit Besa me dy fitore bindëse e kaloi Dritën e Gjilanit. Ndërkohë Prishtina poashtu pas dy ndeshjeve e eliminoi Kastriotin e Ferizajt.
Besa e Prishtina këtë edicion janë takuar pesë herë. Në katër përballjet kampionale Besa ka fituar tri herë, ndërsa një fitore i takoi Prishtinës. Ndërkohë ekipi pejan fitoi edhe në finale të Kupës me rezultat 31:29.
Shpresohet në ndeshje cilësore në finalet e plejofit e poashtu në numër të madh shikuesish. Besa e Prishtina këtë edicion kanë treguar lojërat më të mira, kanë pasur rezultatet më të mira dhe kjo është garancë për një finale cilësore.