Pos dy prej figurave të rëndësishme të UCK’së, Prokuroria e Gjykatës Speciale ka ftuar për intervistim edhe dy ish-ushtarë tjerë të UCK’së. Të katër këta, gjatë luftës së fundit në Kosovë, kanë funksionuar si ushtarë në zona të ndryshme. Njëri prej tyre pritet të merret në pyeje për një krim që veçse është gjykuar në Kosovë.
Dy ushtarë të thjeshtë të UCK’së janë ftuar për intervistim nga Haga. Ftesat ata i kanë marrë në fillim të dhjetorit, sikurse edhe dy figura tjera të rëndësishme të kësaj ushtrie të vetë organizuar gjatë viteve të ’90-ta.
Katër emrat e të cilët Gazeta Express i ka siguruar, të njohur për redaksinë, gjatë periudhës 1998-1999, në Kosovë kanë luftuar në zona të ndryshme operative.
Njëri i takon rajonit të Malishevës, ndërsa i dyti asaj të Dukagjinit. Burimet e gazetës, të afërta me procesin, kanë treguar se intervistimi i njërit prej tyre do të bëhet rreth një krimi që pretendohet që e ka kryer UCK’ja, porse edhe në Kosovë është përfunduar një gjykim rreth tij.
Për të ishte akuzuar një figurë e rëndësishme e UÇK’së, por edhe skenës politike të pasluftës.
Gazeta Express, do t’ua ruajë identitetin e personave në fjalë, për t’iu përmbajtur konfidencialitetit të fazës së hetimeve, dhe cilësinë për të cilin janë thirrur nga Haga.
Të enjten, ish-komandanti i Zonës së Llapit, Rrustem Mustafa, ka nxjerrë në publik emrin e tij përmes avokatit të tij, menjëherë pasi Gazeta Express, duke respektuar kushtet e konfidencalitetit, ka raportuar për ftesën që i është bërë atij para pak ditësh, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
“Ju njoftoj se z. Mustafa ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. Kjo është ftesë për intervistim”, thuhet në komunikatën për media, të avokatit Arianit Koci.
Sipas tij, Mustafa do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar.
Rrustem Mustafa, në vitin 2013 ishte dënuar për krime luftë nga Gjykata e Prishtinës. Bashkë me të, me burgim ishin dënuar edhe dy ish-oficerë tjerë të Zonës operacionale të Llapit, e drejtuar nga ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës.
Remi, ishte dënuar me katër vite burgim unik nga gjykata, për dy pika të aktakuzës.
Nga ana tjetër, Gazeta Express të premten ka konfirmuar edhe ftesën për një tjetër figurë që do të japë deklaratën e tij për Hagën, gjatë javëve në vazhdim.
Vetë kjo figurë e lartë në UCK, i kontaktuar nga gazeta, ka dhënë konfirmim.
“E vërtetë është, por ma gjatë nuk mund t’ju tregoj”, ka thënë ai përmes telefonit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar e Dhomave të Posaçme për Kosovën, deri më tani nuk ka komentuar informacionet e siguruara nga Gazeta Express përmes burimeve.
“ZPS nuk jep detaje në hetimet e saj dhe nuk jep informata për kohën se kur mund të ngrihen aktakuzat e mundshme”,thuhet në përgjigjen e vetëm të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, e dërguar të enjten me e-mail.
Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara, të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.
Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, të cilin e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011-s.
Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështetën edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin. /Gazeta Express