Të hënën hapet konkursi për studentët e rinj në Universitetin e Prizrenit

Prishtinë | 06 Kor 2018 | 14:39 | Nga

Konferenca e Rektorëve e Universiteteve Publike të Republikës së Kosovës, të enjten ka mbajtur mbledhjen e radhës në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren. Nikoqir i kësaj mbledhje ishte rektori i UPZ-së, Ramë Vataj, njëherësh edhe Kryetar i Konferencës së Rektorëve, transmeton Ekonomia Online.

Sipas një komunikate për medie nga UPZ, në mbledhje është vendosur që të hënën, më 09 korrik, të hapet konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj në të gjitha universitetet publike. Gjithashtu në këtë mbledhje është diskutuar për mbështetje mes universiteteve me staf akademik.

Po ashtu është diskutuar për situatën buxhetore të universiteteve dhe nevojën për rritjen e buxhetit për përmirësimin e kushteve në të gjitha aspektet në universitetet publike. Temë diskutimi ishte edhe nevoja për miratimin e statuteve të disa universiteteve publike në Kuvendin e Kosovës, të cilat funksionojnë me statute të përkohshme.

Konferenca e Rektorëve e Universiteteve Publike të Republikës së Kosovës, për zgjidhjen e këtyre problemeve kërkon bashkëpunimin e institucioneve qeveritare dhe Kuvendit.

Të ngjashme