Të hënën protestohet në Prishtinë për shkak të deklaratave të Kurtit për Ivanoviqin

Prishtinë | 20 Jan 2023 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Të hënën e 23 janarit, është thirrur një protestë në sheshin Skenderbeu në Prishtinë, për shkak të deklaratave të kryeministrit Albin Kurti për politikanin e ndjerë serb, Olivier Ivanoviq, të cilin Kurti e përshkruajti si njeri të përkushtuar.

Kjo protestë është thirrur nga një grup në Facebook, të cilët e përshkruajnë se protesta është thirrur nga fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Siç thuhet në këtë njoftim, protesta është organizuar për shkak të indinjimit me veprimet e Kurtit, që sipas organizatorëve tentoi ta amnistoj një kriminel lufte.

“Fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, thërrasin për protestë, me moton: “Kryeministër, mos na shkel në gjak! Stop, devijimit të historisë!”, shkruhet në njoftim.

Protesta pritet të mbahet në ora 12:00 dhe sipas organizatorëve, ka synim që të ndërgjegjësohen përfaqësuesit politik dhe të jenë më të përgjegjshëm ndaj historisë.

“Në këtë protestë ftohen të marrin pjesë të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim, të cilët mendojnë se heshtja ndaj veprimeve destruktive dhe të rrezikshme është po ashtu një bashkëngjitje në faj.”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme