Nga FAIK BEJ KONICA
KUR flasin Shqipëtarët për të dreqtat e tyre e kur çuditen pse s’u a ve veshin kush, – harrojnë të pyesin shkakun e këtij mos-ndëgjimi. Kam dëshirën të rëfej këtu në pakë fialë se ç’mendojnë të huajtë për Shqipërinë.
Të parën gjë që thonë, është se Shqipëtari bën ç’të dojë, ay e urdhëron Turqërinë, ai e ka zotërimin përmi popujt e tierë që rojnë nënë krahë të Sulltanit. Këtë një të huaji nuk ia nxjerr dot nga kryet, sa do i ditur a i mënçur të jetë. Një ditë, flisja me disa atdhetarë, e qeshjim e çuditeshim si u përhap kjo gomarërië.
Pyetjim njëri tiatërin, kërkojim, nëmërojim. Shqipëtarët janë dy miliunash veta, do me thënë piesa e katër-mbë-dhiettë e popullit të Turqisë. Mirë. Tani në Turqië ka nj’a 80 vilajetë, do me thënë po t’ishin 6 valinj – e 14-ta piesë – Shqipëtarë, nukë do të qe tepër. E ku janë edhe ata të 6? Vetëm Abedin Pasha është vali shqipëtar sot për sot, 1! “Mytesarifèr”, në nj’a 250 qi qeverisin në Turqie, ka nj’a 7 Shqipëtarë vetëm. Mushir, vetëm Rexhep Pasha, në Tarabullus. Generallë, në tre-katër qint, janë nj’a 10 Shqipëtarë. Në diplomësie, përveç një kryeshkronjëtor, të gjitha vendet e mira janë për Turq, për Grekër e për Armenë. Mua nuk më vien keq fare, për kundrë më pëlqen t’i dbojë Sulltani të gjithë Shqipëtarët pakë nga pakë, se ahere do të zënë të mësojnë mënt. Po ku hidhërohem, që, duke qen’ ashtu puna, të shoh njerës të bërtasin që Shqipëtarët i kanë të gjitha vendet e mira!…
Pse thonë gjëra të pavërteta? Pse s’mundohen gjysm’ore e të kuptojnë se janë në gabim? Pse nukë njohin se në ka shumë Shqipëtarë në punë të qeverisë, janë për vendet e unjta, zaptienj, çaushë, etj, vënde ku s’mundin të “zotërojnë” një mbretërië?
Këto që thonë për Shqipëtarët, shumë të huaj i thonë për të bërë lirisht propagandën sllave të tyre; po disa i thon’ edhe se me të vërtet ashtu u duket. Këtyreve, u është mbushur kryet që Shqipëtarët bëjnë si të duan, se nukë njohin nga Shqipëria përveç disa qëntre të Shqipërisë së sipërme, ku më të vërtet Shqipëtarët janë miaft të lirë. Po tërë Shqipëria? Po qindëra vise të tiera? Po gjithësia e kombit tonë? A kanë, jo më tepër, po dhe aqë të drejta sa kombet e tierë të Tuqisë
Ku e kemi edhe ne lirinë e mësimit – lirinë të cilën nukë do të lodhemi së kërkuari, se ajo është shpëtimi i kombit t’onë. Ku e kemi? Është gjë e vështirë për të besuar që, kur një Shqipëtar si Naçi lëngon në burg vetëm se dha mësime në një shkollë të hapur me leje, të jenë njerës të thonë se Shqipëtari bën ç’të dojë!…
E dyta gjë që thonë të huajtë, është se Shqipëtari është përtac, e “zanati” i tij është të rojë duke viedhur fqinjët. Kundrë kësaj gënjeshtre, ka shtat viet që po protestojmë këtu, dhe kemi shkruar shumë herë te piesa frëngjishte e ALBANIËS.
Vërtet, zaptiellëku është plaga e vendit t’onë; po të pakë janë ata, a nukë nëmërohen me mijëra, qi në Turqie, në gjithë Ballkan e në vise të tiera venë, për të fituar me nder një copë bukë, të punojnë tërë ditën?
E treta fialë e të huajve kundrë Shqipëtarëve është që populli ynë është “fanatik” e i egër në punë të fesë. Edhe këtu, janë gjykime të lehta përmi kombin e tërë Shqipërisë ‘pas sa bëjnë disa Shqipëtarë të pakë të kufive. Fanatismin Shqipëtari nuk e ka as katër herë mê pakë se kombet e tierë të Ballkanit. Është për të vënë re se librat e shkruara nj’a njëzet viet më parë – e ca më tepër ato më të vietërat – i rëfejnë Shqipëtarët për njerës pa fanatism e pa egërsië kundrë atyreve të feve të tiera. Po sot që Bullgarët zunë me propagandat e tyre, të shpifurat e të huajve zunë t’u mohojnë Shqipëtarëve edhe atë të vetëmën të mirë që kush s’u a kish mohuar. / “Albania”, Korrik 1903