Sipas raportit të vlerësimit të tremujorit të parë (TM1) për zhvillimet makroekonomike të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë këtij tremujori sektori fiskal u karakterizua me performancë të mirë të të hyrave buxhetore dhe rritje të shpenzimeve buxhetore.
Sipas këtij raporti, të hyrat buxhetore arritën vlerën prej 362 milionë eurosh apo 6.7 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Rritja e arkëtimit të të hyrave buxhetore erdhi si rezultat i rritjes së aktivitetit ekonomik, por edhe reformave të ndërmarra nga agjencitë e të hyrave që kanë për synim ngushtimin e hendekut tatimor. Sa i përket llojit të tatimeve, vërehet rritje më e lartë e të hyrave tatimore direkte të cilat arkëtohen nga tatimi në të ardhura dhe pasuri. Këto të hyra në TM1 2018 shënuan rritje prej 26.5 përqindësh dhe arritën vlerën prej 72.5 milionë eurosh. Me rritje u karakterizuan edhe të hyrat tatimore indirekte të cilat janë të ndërlidhura me lëvizjen e importit, i cili ka shënuar rritje të konsiderueshme gjatë TM1 2018”, është thënë në raportin e BQK-së, raporton “Epoka e re”.
Sipas këtij raporti, të hyrat indirekte arritën vlerën prej 261.5 milionë eurosh (3.5 për qind rritje).
“Të hyrat jotatimore, që kryesisht janë të hyra nga organizatat buxhetore, shënuan rënie prej 8.3 përqindësh dhe arritën vlerën 41.1 milionë euro. Në anën tjetër, shpenzimet buxhetore arritën vlerën prej 400.7 milionë eurosh, që paraqet një rritje vjetore prej 20.2 përqindësh. Gjatë kësaj periudhe të gjitha kategoritë e shpenzimeve buxhetore u karakterizuan me rritje. Shpenzimet qeveritare për paga shënuan rritje prej 5.1 përqindësh dhe arritën vlerën prej 143.6 milionë eurosh”, është theksuar në raportin e BQK-së, ndërsa subvencionet dhe transferimet shënuan rritje për 17.7 për qind dhe arritën vlerën prej 127.3 milionë eurosh.
“Shpenzimet qeveritare për mallra dhe shërbime (përfshihen edhe komunalitë) shënuan rritje për 20.2 për qind dhe arritën vlerën prej 48.9 milionë eurosh. Investimet kapitale, të cilat përfaqësojnë rreth 20.2 për qind të gjithsej shpenzimeve buxhetore, shënuan rritje prej 44 përqindësh dhe arritën vlerën 80.9 milionë euro. Duke pasur parasysh rritjen më të lartë të shpenzimeve krahasuar me të hyrat, buxheti i Kosovës regjistroi deficit primar buxhetor prej 38.6 milionë eurosh (5.9 milionë euro suficit në TM1 2017)”, është thënë në raportin e BQK-së.
Ndërkaq sa i përket borxhit publik (TM1 2018) ka arritur në 1 miliard euro që është për 9.1 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Rritja e borxhit publik në Kosovë i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm prej 27.8 përqindësh, i cili ka arritur në 612.5 milionë euro. Sipas këtij raporti, borxhi i jashtëm publik ka shënuar rënie prej 10.2 përqindësh duke arritur në 416 milionë euro.
“Pra, pjesa më e madhe e borxhit publik (59.6 për qind) është borxh i brendshëm, që kryesisht përbëhet nga borxhi i Qeverisë së Kosovës ndaj bankave komerciale (43 për qind), institucioneve publike (33 për qind), fondeve pensionale (20 për qind) etj. Pjesa tjetër e borxhit publik (40.4 për qind) është borxh i jashtëm, që kryesisht i përket Fondit Monetar Ndërkombëtar me 38 për qind, Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim me 37 për qind, Agjencisë Gjermane për Rindërtim me 13 për qind etj”, është bërë me dije në raportin e BQK-së, duke u shtuar se si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në 16.2 për qind nga 15 për qind sa ishte në TM1 2017.
“Përkundër rritjes, ky nivel i borxhit është ende larg pragut prej 40 përqindësh të paraparë me ligj. Për më tepër, ky nivel i borxhit publik e mbanë Kosovën në pozitën e vendit me shkallën më të ulët të borxhit publik krahasuar me vendet e rajonit, të cilat, sipas FMN-së, kanë një mesatare të borxhit publik prej 59.1 përqindësh”, theksohet në raportin e BQK-së.