Njëri nga mjekët më të njohur në Kinë i ka thënë televizionit shtetëror se pacientët me Coronavirus në pjesën verilindore të vendit po shërohen më ngadalë dhe po i shfaqin simptomat më vonë sesa pacientët e infektuar në fillim të vitit në Wuhan.
Dr. Qiu Haibo, i cili po përkujdeset për të infektuarit me Coronavirus në verilindje të Kinës, tha se periudha e inkubacionit më e gjatë se dy javë po e bën të vështirë parandalimin e përhapjes së virusit dhe se kjo mund të jetë dëshmi se virusi është duke ndryshuar.
Pacientët në verilindje të Kinës më tepër po pësojnë dëmtim të mushkërive, ndërsa pacientët e Wuhan-it kishin më tepër probleme në zemër, veshka dhe bark, shkruan “Fox News”, transmeton Gazeta Express.
Muajin e kaluar, një studim nga Universiteti i Zhejiangut në Hangzhou tregoi se virusi ka pësuar së paku 30 mutacione.
Sidoqoftë, ndryshimet në simptomat e pacientëve në dy periudha kohore mund të kenë ardhur për shkak se në fillim janë trajtuar vetëm pacientët në gjendje më të rëndë, ndërsa tani mjekët mund të merren edhe me rastet më të lehta.