Te Kosova optimistë, me gjithë telashet e shumta

Prishtinë | 24 Mar 2021 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Bernard Challandes e ka vlerësuar të rëndësishme miqësoren e së mërkurës ndaj Lituanisë (20:45). Sipas tij, e rëndësishme është që Kosova të vazhdojë të zhvillohet. Ai ka thënë se kualifikimi për Botëror është shumë i vështirë dhe se grupi kualifikues është shumë i fortë. Challandes nuk ka dhënë detaje për incidentin e Aro Muriqit, kurse mungesën e Amir Rrahmanit e ka vlerësuar të madhe

Sikur forma jostabile e lojtarëve të mos mjaftonte, zhvillime të tjera kanë qitur hije në Përfaqësuesen e Kosovës në futboll në prag të ciklit të ri eliminator, atë për botërorin “Katari 2022”. Kosova të mërkurën luan miqësoren me Lituaninë, ndërsa menjëherë të dielën nis ciklin e tretë eliminator të saj. Do të përballet me Suedinë në “Fadil Vokrri”, ndërsa tri ditë më pas edhe me Spanjën në udhëtim.

Ka shpresë që ndeshjet me Lituaninë, Suedinë e Spanjën do ta kthejnë Përfaqësuesen në rrugën e duhur. Pas entuziazmit të krijuar në eliminatoret e rregullta për “Euro 2021”, Kosova vjet pati rezultate jo të mira dhe synimi për të arritur në Evropian nuk u realizua. Ka pasur telashe të shumta te Kosova, disa të lidhura edhe me pandeminë. Ndërkohë forma e lojtarëve të Kosovës ka rënë shumë në krahasim me vitin 2019.

Forma vazhdon të mos jetë ajo e synuar, ndërkohë që në disa pozita konkurrenca është fare e vogël. Dhe telashe të tjera e rëndojnë gjendjen në Përfaqësuese në prag të ndeshjeve me Suedinë e Spanjën, favoritet e grupit kualifikues.

Përfaqësuesja është dashur të ushtrojë të hënën, por stërvitja nuk është mbajtur pasi fillimisht u ndryshua vendi i saj. Për shkak të reshjeve të fundit dhe me synim që të ruhet fusha e stadiumit “Fadil Vokrri”, stërvitja u zhvendos në Hajvali, ku FFK-ja po ndërton një kompleks stërvitor. Por ajo më pas u anulua pasi lojtarët u vonuan për të ardhur në Kosovë, si pasojë e reshjeve.

Të martën Kosova mbajti stërvitjen e parë dhe të vetme para ndeshjes me Lituaninë. Stërvitja u mbajt në Hajvali e jo në “Fadil Vokrri”. Është praktikë që skuadrat të ushtrojnë në arenën ku luhet ndeshja, një ditë para saj. Por me synim që të ruhet fusha, Kosova shkoi në Hajvali. Për Lituaninë u raportua se nuk ka stërvitur fare në Prishtinë.

Grumbullimi i problemeve

Mungesa e stërvitjet në stadiumin ku luhet ndeshja është problem dukshëm më i vogël se ai që është paraqitur me portierin e parë, Arijanet Muriq. Muriq është larguar nga kampi i Përfaqësueses për shkelje të Rregullores disiplinore. FFK-ja nuk ka dhënë më shumë detaje, por KOHA ka mësuar se Muriq në një stërvitje në sallë fitnesi, të hënën, është paraqitur i dehur.

Ka pasur më pas raportime të ndryshme në media, ndër të tjera edhe për një konflikt të tij me Edon Zhegrovën. Por kjo është mohuar menjëherë e fuqishëm nga Zhegrova, i cili ka thënë se Muriqin e ka mikun më të mirë në Përfaqësuese.

Ndërkohë brengë për Bernard Challandesin është edhe mungesa e Amir Rrahmanit, mbrojtësit kryesor të Kosovës. Për shkak të një lëndimi, Rrahmani nuk ka luajtur së fundi te Napoli dhe nuk do të luajë as ndaj Lituanisë dhe Suedisë. Ndërkohë do të vendoset nëse do të jetë në dispozicion për ndeshjen me Spanjën.

Selektori Challandes në konferencën për shtyp para ndeshjes është paraqitur me disponimin e zakonshëm. Nuk është dukur të jetë ndikuar nga largimi i Aro Muriqit. Për Challandesin, ndeshja miqësore me Lituaninë ka rëndësinë e madhe.

“Do ta fillojmë kampanjën e re. Do të luajmë miqësoren ndaj Lituanisë. Për mua dhe Kosovën është një ndeshje e rëndësishme. Shpresoj që është në kohën e duhur kjo ndeshje. Shpresojmë ta nisim me sukses”, ka thënë Challandes në konferencën për shtyp.

Mund të sjellë komplikime të tjera takimi. Për shkak të dëmtimit eventual të fushës në ndeshjen ndaj Lituanisë, Përfaqësuesja prapë rrezikon të zhvendoset në ndonjë fushë tjetër për t’u përgatitur për ndeshjen me Suedinë. Suksesi eventual ndaj Suedisë do të ishte me vlerë shumë të madhe, për faktin se fillon cikli i ri kualifikues.

Tekniku zviceran ka folur për incidentin e Muriqit, por pa dhënë detaje. Ai vetëm ka mohuar konfliktin eventual me Zhegrovën.

“Së pari, informatat se pati përleshje mes Aros dhe Edon Zhegrovën janë gënjeshtra. Nuk ka pasur diçka të tillë. Sa i përket pjesës tjetër, ne tashmë e kemi marrë vendimin dhe për mua kjo çështje përfundon këtu. Ne do të vazhdojmë të punojmë për ndeshjet tjera dhe do të vazhdojmë tutje me punën tonë. Krejt çka mund të them është se Aro ka thyer rregullat disiplinore. Të tregoj detaje tjera do të ishte mungesë respekti ndaj lojtarit. Nuk mund të jap më shumë informata dhe kjo çështje është e mbyllur”, ka shtuar Challandes.

Image

Kualifikimi pak i mundur

Challandes ka pranuar se kualifikimi për Botëror i Kosovës është pak i mundur.

Kosova ka në grup edhe Greqinë e Gjeorgjinë. Vendi i parë kualifikohet direkt, kurse i dyti shkon në barazh. Spanja e Suedia vlerësohen nivel i lartë dhe do të paraqiten në Evropian këtë verë. Dhe Kosova ka pasur telashe të përballojë përfaqësueset cilësore evropiane edhe kur i kishte lojtarët në formën më të lartë. Ajo periudhë duket goxha e largët tani.

Përjashto mbrojtësit, lojtarët e reparteve të tjera nuk po kalojnë formë të mirë. Sulmuesit ka kohë që nuk kanë shënuar, ndërsa lojtarët e krahut, që vlerësohen forcë e Kosovës, nuk po tregohen shumë efikas në skuadrat e tyre. Shpresohet që kjo të ndryshojë në Përfaqësuese. Sa u takon mesfushorëve të qendrës ata janë thuajse tërësisht jashtë formës.

“Tash e nisim një kampanjë të re, atë për Kampionatin Botëror. E kemi parasysh se është vështirë të kualifikohemi në këtë ngjarje, pasi e kemi një grup shumë të fortë. Nëse them se do të shkojmë në Katar, atëherë ndoshta do të qeshni me mua. Nëse them se nuk ka shpresa, do të thoni se unë nuk jam trajner i mirë. Unë kurrë nuk mendoj për rezultat, gjithmonë mendoj për performancën dhe progresin. Të gjitha ndeshjet duhet t’i marrim për t’u zhvilluar, sepse jemi Kosova. Tani e nisim një kampanjë të re. Unë jam këtu për ta zhvilluar Kosovën dhe për të dërguar sa më lart rezultatet e saj. Vetëm nëse bëjmë progres atëherë do të vijnë rezultatet e mira. Gjatë tërë kohës duhet të vazhdojmë të zhvillohemi”.

Pritet me shumë vëmendje edhe ardhja e yllit Zlatan Ibrahimoviq në Kosovë dhe përballja e tij me “Dardanët”. Suedia nuk pritet të zhvillojë stërvitje në Kosovë, ndërsa vlerësohet favorite e madhe për ndeshjen e së dielës.

“Suedia ka ekip të mirë, me apo pa Ibrahimoviqin. Ibra është një lojtar fantastik, por Suedia e ka edhe Dejan Kulushevskin dhe Emil Forsbergun. Problemi kundër Suedisë nuk është vetëm Ibra, por i gjithë ekipi. Duhet të gjejmë zgjidhje si ekip kundër një ekipi të fortë në çdo repart. Shpresoj që do ta kemi shpirtin e njëjtë si kundër Anglisë e Çekisë, për të luajtur lojën tonë. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Edhe pse pa Amir Rrahmanin kundër Suedisë do të gjejmë zgjidhje. Mungesa e Rrahmanit natyrisht na komplikon punën si ekip. Por duhet të jemi të gatshëm”, ka theksuar Challandes.

Shumë pritet te Kosova nga mesfushori Valon Berisha. Berisha po luan te Reimsi në Francë dhe vazhdimisht është prej lojtarëve bartës te Kosova.

“Miqësorja është shumë e rëndësishme. Është bërë shumë kohë që nuk kemi luajtur së bashku. Miqësorja na shërben për të marrë entuziazmin para ndeshjeve kualifikuese. Tani çdo gjë fillon nga zeroja”, ka theksuar Berisha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme